Pas fitores, Rama: Është fiks ora për t’ia shtrirë dorën PD-së

Në fjalimin e tij pas fitores, kryeministri Edi Rama foli në sheshin “Skënderbej” edhe për rivalët e tij politikë, ku tha se është pikërisht momenti për t’i shtrirë dorën PD-së, duke theksuar se mandati i tretë duhet t’i kushtohet bashkimit, e jo konflikteve.
“Kjo është fiks ora për t’ia shtrirë dorën PD, duke e bërë të qartë se mandatin e tretë duam t’ia kushtojmë bashkimit, jo ndasive, punëve, jo sherreve. Politika na ka ndarë, politika mund të na bashkojë, sepse politika është e vetmja në tokë, që di t’i bëjë të dyja. Që njerëzit e dalë nga pylli të mos hanë njëri-tjetrin, por të bëjnë gjëra që të vetmuar nuk i bëjnë dot. Edhe Shqipërinë, në majën ku Zoti e deshi kur e krijoi, politika e ka penguar të ngjitet dhe politika mund ta cojë. Prandaj, le të përpiqemi ta vëmë politikën më shumë se asnjëherë më parë në dispozicion të Shqipërisë, të amanetit të rilindësve dhe heronjve tanë, të borxhit që u kemi fëmijëve tanë. Shqipëria është shumë e vogël për të mos u bërë dot ajo që meritojnë shqiptarët. Shqipëria bëhet dhe do ta bëjmë ne, shqiptarët e kësaj dekade. Do të rinisim punën që nesër me një vrull të ri, nga shërimi i plotë dhe i shpejtë i krejt plagëve të tërmetit dhe shporrja e armikut të padukshëm, ta luftojmë me një ambicie të re armikun brenda vetes, që na tërheq në rrugën e ndasisë e të sherrit. Shqipëria fitoi më 25 prill, tani është radha jonë të fitojmë cdo ditë për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve. Zoti qoftë i duruar me ne dhe ne të duruar me njëri-tjetrin. Rroftë PS, rroftë i madh e i vogël që ka lindur shqiptar. Rroftë Shqipëria!”




