Subscribe

Partizani dhe Skënderbeu fituan kupën e Shqipërisë në volejboll për sezonin 2023-2024. Të kuqtë e kryeqytetit mundën Tiranën në finale e meshkujve. Derbi pa ndonjë histori të madhe për hir të së vërtetës, pasi djemtë e Ylli Tomorrit fituan pastër 3 me 0 me sete.

Seti i parë madje ishte një shëtitje për Partizanin që fitoi 25 me 12. Më i fortë seti i dytë dhe i treti, pothuajse luftuar deri në fund, mirëpo  të kuqtë fituan në secilin set me të njëjtin rezultat 25 me 22, duke festuar trofeun e dytë brenda pak ditësh, pasi kishin siguruar më herët edhe kupën e trofeut mbarëkombëtare “Gjergj Kastrioti”.

Për të kuqtë duhet thënë që ky ishte suksesi i 14 në histori në kupën e Shqipërisë. Lojtari i finales u shpall Osman Qepa me 10 pikë, mirëpo shkëlqyen edhe dy brazilianët Kutinjo dhe Soarez.

Tek femrat, Skënderbeu konfirmon dominimin e madh në vitet e fundit. Korçaret mundën Tiranën 3 me 1 në kryeqytet dhe fituan kupën e Shqipërisë, pak ditë pasi kishin ngritur lart edhe trofeun e kupës së përbashkët Shqipëri-Kosovë, “Gjergj Kastrioti”.

Këtë herë viktima e vajzave juglindore ishte Tirana, e cila u mposht 3 me 1. Vajzat bardheblu luajtën mirë në setin e parë, por në fund Skënderbeu përmbysi gjithçka duke fituar 25 me 21. Seti i dytë ishte spektakolar dhe me shumë emocione , fituar në fund 27 me 25 po nga korçaret.

Tirana gjeti forca e u kthye në lojë në setin e tretë, duke fituar 25 me 18, mirëpo në setin e katërt vajzat e drejtuara nga Orlando Koja fituan 25 me 23, duke mbyllur përfundimisht ndeshjen finale të kupës 3 me 1. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *