Analisti Skënder Minxhozi, teksa krahason betejën e Bashës dhe Berishës për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, vlerëson se ish-kryeministri është më shumë i favorizuar në bashkitë e veriut.

 

Minxhozi u pyet nga gazetari Roland Zili në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos shkarkuar Metën nga posti i Presidentit.  Ndonëse e cilëson Metën një President të keq, analisti shprehet se: “Më mirë të kemi një ‘Kushtetuese’ që i thotë jo një mazhorance, sesa t’i shkurtohej kontrata e punës për 4 a 5 muaj Metës”.

 

Intervista:

 

Sot, një deputet socialist dhe një kryebashkiak po socialist kanë dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme për çështjen e inceneratorëve. A është ky një sinjal që SPAK po bëhet gati të bëjë arrestime në radhët e shumicës?

 

SPAK i ka filluar arrestimet në radhët e shumicës. Ndodhet në burg një ish-ministër dhe një ish-deputet i kësaj legjislature. SPAK ka filluar të lëvizë. Afera duket e shtrirë në shumë drejtime. Deri tani ndodhemi në kuadrin e një lufte politike të shoqëruar me disa lëvizje të drejtësisë. Duhet të shohim në vijim sesi do të jetë raporti mes akuzave politike dhe fakteve të provuara nga hetimi zyrtar.

 

Mendoj se është një hetim kompleks që prek në zemër klasën politike, prandaj është shumë delikat. Është një shans i mirë që të bëhet drejtësi. Ai që ka bërë faj duhet të shkojë në burg.

 

Sa kosto mund të ketë mazhoranca qeverisëse nga kjo dosje?

 

Kostoja teorike, “gërshëra” është shumë e gjerë. Ne mund të shtojmë emra pafund, ashtu sikundër mund të mos shtojmë asnjë emër. Në këtë pikë të hetimeve, kemi më shumë persona të pyetur në cilësinë e njeriut të informuar me fakte. Ata që dëshmojnë me informacionet që kanë, por jo për statusin e të pandehurit, përveç ish-deputetit Koka. Ka shumë luftë. Deri tani, hetimi shoqërohet edhe me nje Komision Parlamentar. Shpresojmë që nëse ka mish për t’u pjekur në zgarë, kësaj radhe mos të shpëtojnë ata që nuk duhet të shpëtojnë.

 

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është çështja e presidentit Meta. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e la në detyrë Presidentin dhe rrëzoi qëndrimin e mazhorancës për shkeljet e rënda të pretenduara. Çfarë komplikimesh mund të sjellë ky vendim për të ardhmen për Presidentin e ri?

 

Kemi një akt të nevojshëm pavarësi të një gjykate të lartë, siç është Gjykata Kushtetuese, por kemi një vendim që na la në zyrë edhe për pak muaj një President të keq. Mendoj që është më mirë që të kemi një “Kushtetuese” që i thotë jo një mazhorance sesa t’i shkurtohej Metës kontrata e punës për 4 a 5 muaj. Po mbyll mandatin një president që nuk duhet të jetë më në atë zyrë. Akti i gjykatës krijon një precedent pavarësie të këtij paneli, sepse edhe rezultati nuk është i ngushtë.

 

Ky vendim do ta shtyjë shumicën që ta rikonceptojë pozicionin e presidentit në të ardhmen?

 

Mendoj që Presidenti e ka shkelur hapur Kushtetutën. Me të dyja këmbët. Të gjithë e kanë të qartë që ka qenë një President i një pale, i popullit të 2 marsit, pra me opozitën. Është një President që ka shkelur një pikë të Kushtetutës në mënyrë flagrante.

 

 

Përplasja Basha-Berisha. Kush është në avantazh në këto momente?

 

Është një fushatë mes opozitës, shumë atipike. Një fushatë që ka një aleancë, ku dy partitë e aleancës nuk bëjnë fushatë, por fushtë bën një komponent i trete, i cili është i paligjshëm, “Foltorja” e Berishës, të cilit, Meta-Kryemadhi-Ndoka i kanë hapur rrugë për të bërë luftën e tij kundër Bashës. Është një fushatë që zhvillohet brenda opozitë , është një fushatë tripolare. Realisht, unë shoh që Berisha është para të paktën në bashkitë e veriut. Parashikoj që Basha e ka të vështirë të fitojë diçka në këto zgjedhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *