“Pa rini nuk ka Shqipëri”, nis grumbullimi i studentëve para Ministrisë së Arsimit, protestë kundër problematikave në arsim
Ka nisur grumbullimi i studentëve dhe të rinjve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku këtë të martë, më 13 tetor, është thirrur një protestë kombëtare për të kundërshtuar problematikat që prekin të rinjtë dhe arsimin e lartë në vend.
Studentët dëgjohen teksa thërrasin “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Nuk shitet Shqipëria”.
Protesta është planifikuar të mbahet në orën 14:00, ndërsa organizatorët u kanë bërë thirrje studentëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, si dhe qytetarëve të tjerë, t’i bashkohen tubimit.
Thirrja për protestë është bërë publike përmes një pankarte, ku të rinjtë shprehin pakënaqësinë për çështjet që, sipas tyre, vijojnë të mbeten të pazgjidhura dhe për mungesën e reagimit nga institucionet.
“Protestojmë për çdo gjë që nuk funksionon dhe për çdo gjë që duam të jetë ndryshe”, thuhet në mesazhin e publikuar nga organizatorët.
Ndër çështjet kryesore që pritet të ngrihen gjatë protestës janë kushtet në universitetet shqiptare, kostot e studimeve dhe mbështetja financiare e sociale për studentët.
Të rinjtë kërkojnë zgjidhje konkrete dhe politika më efektive për arsimin e lartë, me synimin që universitetet të ofrojnë më shumë mundësi për zhvillim profesional dhe punësim.




