Operacioni “Enigma”, 7 në pranga! Mes të arrestuarve edhe Xhevdet Plaku, i arratisur nga burgu i Ancona në janar

7 persona kanë përfunduar në pranga pas një operacioni policor me rrezikshmëri të lartë në Durrës. Pas disa sinjalizimeve se disa persona të shpallur në kërkim, ishin në ambientet e një restoranti në Gjirin e Lalzit , policia bastisi vendin duke i vënë në pranga.
Në mesin e të arrestuarve është edhe Xhevdet Plaku i njohur me nofkën ‘Akili’, i cili u arratis nga burgu i Ankonas në Itali në janar të këtij viti, ku po vuante dënimin për trafik droge.
“Xhevdet Plaku alias Kiss, 45 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Flobens Mecia alias Gega alias Drini, 43 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim nga SPAK, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin korrik 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, tha Vilson Bala, drejtor i Policisë në Durrës.
I arrestuar tjetër është edhe Voltan Xhani që ndër të tjera akuzohet edhe për sigurimin e kushteve të vrasjes së Elis Rroshkodolit në Shkodër një vit më parë.
“Voltan Xhani, 39 vjeç, lindur në Përmet, rezident në Holandë, pasi në muajin shtator 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” kryer në bashkëpunim dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”.
Jugert Xhani, 35 vjeç, lindur në Përmet, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit””, shtoi drejtor i Policisë.
Po ashtu janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë që akuzohen për “Moskallëzimi të krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;
Po gjatë operacionit, janë sekuestruar shuma parash, euro dhe sende të tjera, ndërsa 3 prej të arrestuarve thotë policia në momentin e bastistjes së lokalit, i kishin armët e zjarrit me fishekë në fole gati për qitje.
/vizionplus.tv




