Subscribe

Një korriku do të duhet të ishte afati kur do të hynte në fuqi ligji, që ndalonte dhënien e ofertave të pakërkuara me koncesion. Por në fakt ky afat është djegur, pasi mazhoranca nuk e votoi ligjin që u hartua me nxitim, çka do të thotë qeveria ka ende të drejtën të japë me koncesion oferta që vijnë nga biznesi.

 

Në fillim të këtij viti ministria e financave hartoi disa ndryshime ligjore, duke venë afatin 1 korrik si datën kur nuk do të jepeshin më koncesione të tilla. Drafti u miratua edhe në komisionet parlamentare, ndërsa u parashikua edhe në kalendarin e seancave plenare. Por pas një urdhri ende të pazbardhur ky projektligj u tërhoq nga parlamenti pa një arsye zyrtare.

 

Edhe Ministria e Financave si iniciatore e këtij ligji nuk ka një shpjegim se pse ky draft nuk u miratua. Por zëra pranë mazhorancës thonë se lënia e tij në harresë është e qëllimshme, çka ngre pikëpyetjet se të tjera kontrata mund të lidhen nëpërmjet procedurës së ofertave të pakërkuara.

 

Qeveria u detyrua të ndërmerrte një nisëm të tillë pas presioneve të vazhdueshme nga ana e Fondit Monetarë Ndërkombëtarë, i cili e konsideron këtë procedurë jo transparente, cenon konkurrueshmërinë, si dhe shoqërohen me kosto disa herë më të larta, nëse do të zhvilloheshin me garë publike.

 

Dy janë format që qeveria përdor të për të vënë në punë një aset publike, një prej tyre është hapja e një gare ku kompani të ndryshme sjellin ofertat e tyre për zhvillimin e këtij aseti, ndërsa forma e dytë është kur biznesi vetëofron një projekt për të zhvilluar një aset të caktuar. Qeveria vitet e fundit ka zgjedhur rrugën e dytë duke lidhur disa kontrata me vlerë miliona euro, sic janë ndërtimi i rrugës Orikum-Llogara, Milot-Balldren apo rruga e Arbrit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *