Subscribe

Tre konsideratat që Shqipërinë do ta udhëheqin përgjatë presidencës së dytë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i renditi kryeministri Edi Rama para vajtjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të enjten.

 

Të parën kreu i qeverisë vendos rezultatet e reformës në drejtësi në luftën kundër korrupsionit dhe angazhimin e qeverisë për të mos ndërhyrë në vendimet e saj edhe kur në rrjetën e SPAK bien të tijët.

 

 EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Shqipëria po e nxjerr kokën mbi ujin e ndenjur të pandëshkueshmërisë sistemike 100 e kusur vjeçare. Hetimi dhe ndjekja e pavarur penale e një sërë zyrtarësh të lartë të lidhur me pushtetin politik të radhës, përfshirë njërin prej zëvendëskryeministrave të mi të mëparshëm, janë prova kokëfortë e një ndryshimi epokal në jetën e vendit tonë.

 

Me të njëjtën kokëfortësi, atë të të lënit të drejtësisë të bëjë detyrën e saj, Edi Rama deklarohet edhe për çështjen “Fredi Beleri”. Ai nuk do të dorëzohet para kërcënimeve të Greqisë për veton kundër anëtarësimit të Shqipërisë apo për bllokim të mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Ndonjë po thotë se kur vjen puna tek ndonjë patate shumë e nxehtë në duart e drejtësisë, si ajo e zotit Beleri, unë duhet të ndërhyj e ta hedh pataten në det, por kjo nuk ka për të ndodhur kurrësesi. Dhe unë vetëm do të përsëris deri në bezdi për shumëkënd, se lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar vetëm do të thellohet, pavarësisht dhimbjeve e kostove, sepse kjo luftë është e drejtë dhe e domosdoshme për Shqipërinë Europiane të të gjithë fëmijëve të këtij vendi.

 

Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç i thotë që nga Brukseli në vendet e tyre të mos kthehen me duar bosh.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Lutem që mos të jetë një tjetër xhiro bosh, për një tjetër përsëritje të këngës “fajin e ka tjetri”. Unë me sinqeritet shpresoj që të gjithë të përfshirët në procesin e normalizimit të jenë të vetëdijshëm për atë çfarë luhet sot mes Kosovës e Serbisë dhe të kuptojnë dreqi e mori, që çdo alternativë tjetër, përveç zbatimit të menjëhershëm, gjithëpërfshirës, të marrëveshjes mbi planin franko-gjerman në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është lojë me zjarrin, ku kush luan do të digjet i pari, po akoma më keq, në fund do të përvëlohet krejt rajoni, po nuk do të shpëtojë pa u përcëlluar edhe vetë Europa.

 

Përtej produktit që do të sjellë takimi mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë nën çadrën e Bashkimit Evropian, edhe sikur ai të jetë një mossukses i rradhës, Edi Rama i thotë Albin Kurtit se Shqipëria dhe shqiptarët janë me Kosovën, e këtë s’e luan topi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *