Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e pjesëmarrjes në edicionin e pestë të Forumit Global të Baku-së, zhvilloi sot një vizitë edhe në Universitetin shtetëror Filologjik të Azerbajxhanit, ku nga rektori në detyrë i këtij Universiteti, Afgan Ali Abdullayev, iu akordua, Titulli “Doktor Nderi”.
Ky titull i është akorduar një sërë personaliteteve evropiane dhe botërore nga ky universitet dhe i pari që i akordohet një Presidenti shqiptar.
Duke falenderuar për titullin e akorduar, presidenti Nishani përgëzoi trupën akademike për vijimin e traditës së bukur të krijuar nga akademikët dhe profesorët azerë afro një shekull më parë, si dhe theksoi se fuqia që studentët marrin në auditoret e këtij universiteti e bën më të lehtë ndërveprimin mes kulturave të ndryshme, dhe për më tepër mes dy popujsh të vjetër, shqiptarëve dhe azerëve.
Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu vlerësimin për marrëdhëniet shumë të mira e intensive mes dy vendeve, veçanërisht në dy vitet e fundit, si dhe theksoi se më shumë duhet bërë edhe në rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe arsimore.
Nishani iu përgjigj më pas interesimit të studentëve lidhur me bashkëpunimin dhe aspektet që i afrojnë dy vendet me njeri-tjetrin, si dhe la një shënim të shkurtër edhe në librin e miqve të Universitetit shtetëror Filologjik të Azerbajxhanit.





