Ka nisur zbatimi i projektit të intsalimit të një sistemi sigurie, përmes kamerave inteligjente, i cili do ta rendisë Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë edhe në këtë drejtim, duke sjellë standarde të larta monitorimi të rrugëve të qyteteve, shkollave e mjediseve të tjera publike.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu tha se mbi 5 mijë kamera inteligjente do të instalohen në 20 qytete të Shqipërisë. Janë gjithashtu 3 mijë kamera trupi që do të instalohen në uniformat e efektivëve të policisë së Shtetit. Po ashtu do të instalohen dhe kamera e radarë inteligjentë dhe sensorë për matjen e zhurmës në qytetet e vendit.
Kreu i qeverisë, Edi Rama, i pranishëm në aktivitet tha se Smart City” nuk është një projekt kamerash dhe as një projekt mbikëqyrje e trupave të policisë, por është një projekt që në sekondën kur fillon dhe vihet në jetë rrit në mënyrë eksponenciale kapacitetin policor në kohë reale.
Rama: Ky është një projekt që i jep Policisë së Shtetit një sy magjik për të parë në kohë reale të gjithë territorin e interesit. Është një projekt që ndihmon në mënyrë të paimagjinueshme për të pasur një kryeinspektor të territorit që i ka sytë gjithandej. Kur flitet për identifikimin në kohë reale të shkelësit, nuk flitet për një identifikim që vjen si rezultat i syve të policisë që ndjek ekranin, por një identifikim në kohë reale nga ky sy magjik, i cili e sheh, e identifikon dhe regjistron dhe e sjell para syve të punonjësit të policisë. Nuk ka nevojë të presim nga postblloqet e policisë të zbulojnë makinat e paregjistruara, nuk ka nevojë të presim nga DPSHTRR të mbledhë taksat e papaguara të drejtuesve të automjeteve.
Të gjitha këto informacione vijnë në kohë reale dhe policia pastaj ndërhyn për të zbatuar ligjin. Siguria në shkolla ndryshon rrënjësisht. I gjithë sistemi është një sistem që funksionon për mësuesin, funksionon për prindin, funksionon dhe për shkollën dhe padyshim për ministrinë e Arsimit. Në momentin kur policia e Shtetit ka nevojë të bëjë një verifikim të çfarëdo natyre e ka të gjithë të regjistruar. Ashtu sikundër në sekondën kur një person i dyshuar i afrohet derës së shkollës apo kur persona të padëshiruar vijnë vërdallë shkollës për të tregtuar lëndë narkotike punonjësit e policisë e shkohin këtë në kohë reale.





