Subscribe

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka skanuar ecurinë e organeve të reformës në drejtësi.

Nga foltorja e parlamentit  ku po flitet për zgjatjen e afateve të organeve të vetingut, ai ka bërë një rrugëpërshkrim të procesit duke dhënë një sërë përgjigjesh ndaj akuzave të opozitës.

Ish kreu i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi në krye të fjalës së tij tha se:

 

“Koha na ka dhënë shumë të drejtë për ligjshmërinë, standardet e konceptimit dhe hartimit ligjor të këtij projekti dhe procesit që e shoqëroj atë. Po koha na ka dhënë mëse të drejtë për domosdoshmërinë dhe dobinë e këtij projekti jetik që po jep një kontribut të jashtëzakonshëm për të pastruar sistemin nga individ të papërshtatshëm dhe një shumicë edhe të korruptuar e të kriminalizuar që kishin kapur për fyti institucionet e drejtësisë prej 30 vjetësh”, tha Xhafaj duke shtuar se:

 

“Ligji në fuqi hartuar përmes ekspertizës vendase dhe ndërkombëtare, është finalizuar si një projekt legjitim, i çertifikuar në disa filtra si standard ndërkombëtar dhe ka shënuar një risi në doktrinën dhe praktikën e fushës”, u shpreh deputeti socialist teksa i dha një përgjigje sulmeve të opozitës ndaj procesit:

 

“Ndjehem i keqardhur që edhe në këtë rast, opozita zgjodhi rrugën e gabuar. Ju shmang debatit konstruktiv përmes bojkotimit të seancave të Këshillit për Legjislacionin ashtu siç veproj edhe kur ligji për vetingun u debatua në komisionin e posaçëm e këtu në seancë apo siç veproi në 2017 kur hyri në çadër dhe e futi gjithë procesin në një spirale problematikash zbatimi dhe në një kohë vonese të ndjeshme të formatimit të strukturave të vetingut që solli si efekt zinxhir gjithë problematikat e mëvonshme të përkthyera në situatën aktuale me vakancat e krijuara me institucionet e reja të drejtësisë”, nënvizoi Xhafaj.

Deputeti i PS u shpreh se: “Jam i vetëdijshëm që në procesin e zbatimit jo përherë gjithçka shkon sipas ligjit, frymës apo gërmës së tij. Kjo jo vetëm sepse nuk ka e nuk mund të ketë një ligj perfekt, por parasëgjithash se në zbatim duhet vullnet i fortë politik, përgjegjshmëri, koordinim efikas dhe padyshim kryesorja dëshirë për të bërë gjënë e drejtë dhe të duhur”.

Duke sjellë në vëmendje kërkesën e tij për një analizë të thelluar, Xhafaj tha se ishte momenti pas 5 vjet proces, të reflektonim dhe debatonim së bashku rreth tij dhe të dëshmonim se ne e duam realisht këtë proces, se e duam jo sipas interesave tona apo se na i kërkojnë ndërkombëtarët si detyrë shtëpie.

 

“Duke i njohur këto merita shumicës prej tyre në KPK (Komsioni i Posacëm i Kualifikimit), KP (Komisionerët Publik) dhe veçanërisht në KPA (Komisioni i Posacëm i Apelimit) nuk kemi pse të mos pranojmë se disa ndër ta nuk e kanë merituar këtë përgjegjësi dhe me mungesën e integritetit e ndershmërisë publike kanë cënuar vlerat e këtij procesi. Ky është fakt që më së pari ne duhet të na bëjë të skuqemi për zgjedhjet e gabuara që kemi bërë kur kemi shtypur butonin për ta. Gabim që e kemi bërë edhe me disa zgjedhje në KLP e KLGJ dhe që mesa po shoh edhe sot vështirë të ndahemi nga kjo praktikë me qasjen që kemi”, tha Xhafaj duke u ndalur edhe te përgjegjësia e maxhorancës përballë reformës në drejtësi.

Padyshim përgjegjësia e parë dhe kryesore për zbatimin e reformës në drejtësi, na mbetet ne maxhorancës. Qytetarët na votuan në 2017 për inicimin, drejtimin dhe koordinimin shembullor të kësaj reforme dhe përsëri në 2021 ata na ribesuan për një mandat të tretë ndër të tjera edhe me shpresën se reformës do t’i shkohet deri në fund dhe zbatimi i saj do të eci në frymën dhe gërmën e shkruar, standartet dhe qëllimet e përcaktuara”, tha ai ku solli në vëmendje edhe disa kritika.

Procesi ka shfaqur edhe probleme e dukuri që meritojnë vëmendje. Raportohet se ka probleme me ritmin, me shpejtësinë për çështjet prioritare, me vonesat e pajustifikuara në afatet e gjykimit deri edhe zvarritjen e qëllimshme për disa prej tyre.  Ashtu sikundër ka perceptime kryesisht apo edhe akuza publike për disa komisionerë për cënim të paanshmërisë e objektivitetit, për gjykimin me dy standarde, nënshtrim ndaj presioneve, etj. ONM mund e duhet të luaj një rol shumë më proaktiv në gjykimin dhe ndëshkimin e praktikave të tilla”, tha ai duke shtuar se:

 

“E vlerësoj shqetësues faktin që për disa komisioner për efekt hakmarrjeje dhe shantazhi janë inicuar kallzime penale që mbahen prej muajsh pa veprime dhe përmes tyre tentohet të ndikohet për vendimmarje të caktuara. Ju kërkoj publikisht institucioneve përgjegjëse (ILD, PP, SPAK, KLP) të monitorojnë me kujdes këto praktika dhe të përdorin gjithë instrumentet e nevojshme për të frenuar praktika të tilla korruptive dhe abuzimi nga prokurorë të veçantë.  Këto dukuri në asnjë rast nuk e zhbëjnë qëllimin dhe arritjet e rëndësishme të vettingut, por meritojnë të analizohen dhe gjykohen me përgjegjësi e maturi si domosdoshmëri për të përmirësuar më tej këtë proces në pjesën e mbetur të tij, por edhe si reflektim për kohën post-vetting që të parandalojmë rishfaqjen e fenomeneve të tilla në të ardhmen”, u shpreh Xhafaj ku bëri thirrje për mos bërë asnjë hap pas në implementimin e plotë të.

 

“Po është koha për të reflektuar edhe NE, të gjitha krahët në këtë sallë, se me reformën në drejtësi gjërat me pushtetin e tretë, pushtetin e drejtësisë kanë ndryshuar, nuk janë më si më parë dhe nuk mund e nuk duhet të sillemi me të si më parë.  Ata që e duan siç e kishin DJE ta harrojnë pasi i vdekuri nuk ngjallet më përveç se në ëndrra. Ata që e duan edhe NESËR si dje, me keqardhje përsëri ju them se nuk paskan kuptuar asgjë.  Gjithsesi, më mirë vonë se kurrë”, mbylli fjalën e tij Fatmir Xhafaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *