Nga Burreli në Tiranë për të shitur armë, Ardit Doçi vepronte me porosi të grupit kriminal, ja çmimi në treg
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Tuneli”, duke arrestuar një 22-vjeçar nga Burreli, i cili po transportonte armë zjarri drejt kryeqytetit.
I riu, i identifikuar si Ardit Doçi kishte marrë porosi nga një grup kriminal që vepron në zonën e Freskut per të blerë armë.
Dy armët e sekuestruara do të shiteshin në treg nga 800 euro për shkak se ishin modele të vjetra.
I arrestuari dyshohet se ka lidhje me një tjetër person, i kapur pak ditë më parë me armë zjarri. Ai rezulton me precedent penal për drogë dhe armë.
NJOFTIMI:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë siguruar informacion se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet. Si rezultat i administrimit të shpejtë të këtij informacioni është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Tuneli”, gjatë të cilit u arrestua shtetasi:
A.D., 22 vjeç, banues në Burrel.
Gjatë operacionit, në tunelin e Murrizit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 22-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën të fshehura në bagazh, 2 armë zjarri kallashnikov dhe 4 krehra për to.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas po i transportonte armët në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procdurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit.
/vizionplus.tv




