E hënë, 23 Nëntor 2026 Lajme Ora 12:00 dhe Moti deri në 12:20 Në vijim ora 12:20: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sociale

Nga auditorët drejt profesionit, pa barriera të panevojshme, Spahiu dhe Kumbaro: Masa konkrete për profesionistët e rinj të shëndetësisë

Përmirësimi i formimit praktik dhe lehtësimi i procedurave administrative për profesionistët e ardhshëm të shëndetësisë janë në fokus të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit. Në vijim të urdhrit të përbashkët që eliminon provimin e ndërmjetëm pas praktikës profesionale, ministrja Klodiana Spahiu dhe ministrja Mirela Kumbaro zhvilluan një bashkëbisedim me studentë të shkencave mjekësore, mbi zbatimin e kësaj mase dhe mundësitë për përmirësimin e mëtejshëm të formimit dhe integrimit të tyre në sistemin shëndetësor.

Gjatë takimit, studentët vlerësuan thjeshtimin e procedurave dhe ndanë propozimet e tyre për lehtësimin e kalimit nga formimi akademik në ushtrimin e profesionit.

Ministrja Spahiu theksoi se kjo nismë është vetëm hapi i parë i një bashkëpunimi të vazhdueshëm me studentët, për të adresuar shqetësimet e tyre dhe për të forcuar përgatitjen profesionale.

“Me nismën më të re të cilën ne e realizuam së bashku, mendoj që është vetëm fillimi i një pune, të cilën do ta çojmë përpara për të adresuar jo vetëm shqetësime, por për të gjetur rrugën e bashkëpunimit, në mënyrë që jo vetëm të pajiseni me një diplomë e cila ju konfirmon që ju jeni në shërbim si infermier, por gjatë gjithë praktikës suaj, pra gjatë formimit edhe shkencor, por edhe praktik, ju të arrini të merrni njohuritë maksimale, edhe teorike, edhe praktike”, u shpreh ministrja Spahiu.

Reklamë

Duke vlerësuar rolin e profesionistëve të rinj në forcimin e sistemit shëndetësor, ministrja Spahiu nënvizoi angazhimin për zgjerimin e mundësive të praktikës profesionale në spitalet universitare, si dhe nxitjen e punësimit të tyre në qytetet ku jetojnë, veçanërisht në zonat me nevoja për personel mjekësor.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro,  u ndal në rëndësinë e thjeshtimit të procedurave për hyrjen në profesionet e  shëndetësisë, duke theksuar se eliminimi i provimit të ndërmjetëm pas praktikës profesionale heq një hallkë të panevojshme burokratike dhe lehtëson rrugëtimin e të diplomuarve drejt licencimit dhe ushtrimit të profesionit.

Një tjetër prioritet i përbashkët i dy ministrive është rritja e numrit të kuotave të specializimit për mjekët e rinj, të financuara nga shteti, për të forcuar kapacitetet profesionale dhe për t’iu përgjigjur nevojave të shërbimit shëndetësor.

Eliminimi i provimit të ndërmjetëm shënon një hap konkret në reduktimin e barrierave administrative, ndërsa bashkëpunimi ndërinstitucional do të vijojë me masa të tjera për përmirësimin e formimit, lehtësimin e punësimit dhe mbështetjen e brezit të ri të profesionistëve të shëndetësisë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.