E hënë, 23 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:15 Në vijim ora 13:15: Dielli i Dimrit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Tritoli në banesën në Tiranë, zbardhen lëvizjet e autorit të dyshuar, dyshohet se u pagua për atentatin

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për shpërthimin me tritol në banesën e një 47-vjeçareje në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë. Hetuesit e Komisariatit Nr. 4 kanë arritur të rindërtojnë lëvizjet e autorit të dyshuar, përmes analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë.

Në qendër të hetimeve është 60-vjeçari Albert Zevelizhdaj, i shpallur në kërkim nga policia. Sipas burimeve, ai dyshohet se ka marrë me qira për tre ditë një automjet, të regjistruar në emër të fqinjës së tij në Elbasan.

Me këtë automjet, Zevelizhdaj dyshohet se ka udhëtuar drejt Tiranës së bashku me fqinjën dhe dy persona të tjerë, të cilët i linte në zonën e ish-Bllokut.

Në ditën e tretë të qëndrimit në kryeqytet, pasi ka lënë tre personat në ish-Bllok, ai është drejtuar drejt rrugës “Sadik Petrela”, ku dyshohet se ka vendosur lëndën plasëse në derën e banesës.

Reklamë

Një nga pistat që po hetohet është mundësia që 60-vjeçari të jetë paguar nga persona të tjerë për të kryer shpërthimin. Dyshimet janë shtuar edhe për faktin se pronarja e banesës dhe fëmijët e saj nuk e njihnin më parë të dyshuarin.

Pas vendosjes së lëndës plasëse, ai dyshohet se ka ndjekur rrugica të ndryshme për të shmangur identifikimin, si dhe ka ndërruar veshjet për të humbur gjurmët.

Ndërkohë, policia vijon kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e Albert Zevelizhdajt, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse pas ngjarjes qëndrojnë persona të tjerë dhe cili ka qenë motivi i sulmit.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.