Nesër konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE, Marta Kos: Zgjerimi po ecën përpara, anëtarët e rinj duhet të risin sigurinë tonë

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian po ecën përpara, duke njoftuar se në ditët në vijim do të mbahen katër konferenca ndërqeveritare me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Deklaratat u bënë më 12 tetor, përpara takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, një ditë para konferencës ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku pritet të formalizohet mbyllja e përkohshme e negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me Ndërmarrjet dhe Politikën Industriale.
Duke folur para gazetarëve, Kos tha se vendimi i shteteve anëtare krijon mundësinë për zhvillimin e katër konferencave ndërqeveritare në ditët në vijim, duke e cilësuar këtë si një shenjë të qartë të përparimit të procesit të zgjerimit.
“Pas vendimit të djeshëm të shteteve anëtare, tashmë kemi perspektivën e mbajtjes së katër konferencave ndërqeveritare në këto ditë, me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Kjo do të jetë hera e tretë që nga qershori që do të kemi katër konferenca ndërqeveritare në të njëjtën kohë. Kjo është një shenjë e qartë se procesi i zgjerimit po ecën përpara. Vendet që janë në krye të këtij procesi po përmbushin detyrimet e tyre dhe ne po përmbushim gjithashtu pjesën tonë”, deklaroi Kos.
Konferenca e parashikuar për 13 tetor në Luksemburg për Shqipërinë pritet të shënojë një tjetër hap në negociatat e anëtarësimit, me fokus Kapitullin 20, që përfshin politikat për ndërmarrjet dhe industrinë.
Kos: Siguria po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në procesin e zgjerimit
Një pjesë të rëndësishme të deklaratës së saj, komisionerja evropiane ia kushtoi sigurisë dhe përafrimit strategjik të vendeve kandidate me Bashkimin Evropian.
Sipas saj, siguria po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe për Unionin dhe për procesin e zgjerimit, ndaj vendet që synojnë anëtarësimin duhet të kontribuojnë në forcimin e sigurisë së përbashkët.
“Ne nuk mund të përballojmë të pranojmë anëtarë të rinj që nuk do ta rrisin sigurinë tonë”, u shpreh Kos, duke theksuar se përafrimi strategjik do të ketë rol gjithnjë e më të rëndësishëm në vlerësimin e vendeve kandidate.
Ajo sqaroi se ky përafrim nuk lidhet vetëm me qëndrimet në politikën e jashtme, por përfshin edhe harmonizimin me sanksionet, politikat energjetike dhe infrastrukturën.
“Kur të kemi anëtarë të rinj, duhet të sigurohemi që ata të na bëjnë më të fortë dhe jo më të dobët”, theksoi komisionerja.
Sundimi i ligjit, kusht për anëtarësimin në BE
Gjatë deklaratës, Kos u ndal edhe te sundimi i ligjit dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare, duke i cilësuar ato si parime themelore të Bashkimit Evropian.
Ajo përmendi diskutimet rreth Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duke theksuar se respektimi i institucioneve ndërkombëtare dhe i standardeve ligjore është thelbësor për paqen, sigurinë dhe procesin e zgjerimit.
Komisionerja iu referua veçanërisht zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, ku, sipas saj, rikthimi i tendencave nacionaliste përbën shqetësim për stabilitetin e rajonit.
Në këtë kuadër, ajo kritikoi ndryshimet e propozuara në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke deklaruar se ato bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.
“Ndryshimi i rregullave ndërkohë që një proces gjyqësor është në zhvillim bie ndesh me standardet e vendosura ndërkombëtarisht për sundimin e ligjit. Mesazhi im është shumë i thjeshtë: zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate ecin prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të jenë në gjendje të bëhen anëtare të BE-së”, deklaroi Kos.




