“Nëse nuk jam unë, Shqipëria nuk shkon në BE”, Rama batuta në Lezhë: Pa Lindën jam ndërtim pa leje

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka zhvilluar një takim me gratë dhe vajzat e Lezhës pasditen e sotme. Ai tha se sot Shqipëria ka ndryshuar falë PS dhe kjo duket nga pjesëmarrja e gruas në vendimmarrje.
Rama theksoi se ndryshe nga disa vite më parë sot gratë dhe vajzat nuk janë më pas dere, por janë pjesë e vendimmarrjes.
Ai vlerësoi dhe bashkëshorten e tij, Linda Rama, dhe me batuta tha se pa të është “ndërtim pa leje”.
Gjithashtu theksoi rëndësinë që kanë zgjedhjet e 11 majit për inegrimin e vendit në BE. Shefi i qeverisë tha se vetëm PS me Ramën në krye mund ta integrojë vendin në Bllok.
Rama: Unë pa gruan time jam ndërtim pa leje. Hë sot, hë nesër. Ju falenderoj për këtë angazhim. Këto zgjedhje janë një takim me historinë. 11 maji është takimi i dytë me historinë, sipas meje. Takimi i parë ka qenë në ’91-’92, kur shqiptarët shkuan votuan PD. Dhe pastaj në korrik-gusht kur u bënë zgjedhjet vendore shumica votuan kundër PD. Populli kuptoi se ai ishte momenti për të hedhur një votë që ndante historinë, mbyllte një kapitull të gjatë dhe lante duart me një sistem politik që shqiptarët e kishin refuzuar dhe hapte një kapitull tjetër me një sistem politik që shqiptarët e kishin ëndërruar, ky ishte 22 marsi. 11 maji është momenti ku populli duhet të marrë një vendim për të vazhduar pa ndalur negociatat me BE-në dhe për t’i mbyllur në 2027, apo për të ngatërruar mes nesh dhe BE-së kënetën dhe moçalet që janë një mundësi zgjedhjeje. Nëse nuk është PS dhe nëse nuk jam unë në detyrë deri sa të mbyllim këtë proces, Shqipëria nuk shkon në BE me asnjë tjetër./vizionplus.tv




