Deputeti socialist Pandeli Majko, gjatë replikës me kryedemokratin Sali Berisha nga salla e Kuvendit, i kujtoi këtij të fundit se kur e shpallën britanikët non-grata ishin Konservatorët në pushtet.
Majko tha se edhe pse ndaj kolegut të tyre, Erjon Veliaj, SPAK dha një masë arresti, asnjë nga socialistët nuk sulmoi as SPAK e as Dumanin, e as ambadoren e SHBA, Presidentin apo Sekretarin e Shtetit, ashtu siç bëjnë demokratët sa herë ndaj tyre ngrihet një akuzë.
Sa i përket sloganit të PD “Është radha jonë”, Majko me ironi theksoi se kjo nuk është radhë qumështi, dhe se janë qytetarët ata që do të japin verdiktin e tyre më 11 maj.
“Unë mendoj se sot është seancë e veçantë sa i përket fjalorit të përzgjedhur. Unë ndihem në pozitë të vështirë përballë vetes, historisë së PS, për atë që i ka ndodhur Erion Veliajt, përveç fëmijës, të gjithë familjarët e tij kanë urdhër nga gjykata. Askush nga ne nuk u ngrit të akuzonte Dumanin për mercenar, të akuzonte SPAK për organizë kriminale, nuk akuzuam ambasadoren e SHBA, as Presidentin, e as Sekretarin e Shtetit. Kam një përshtyje se keni mendim të gabuar për kontraktorin tuaj të paguar. Në SHBA nuk diskutojnë për ju. Nëse kanë qenë për ju Marksistët deri para ardhjes në pushtet të Presidentit Trump, ju kujtoj që kur ju vunë non-gratën Britanikët ishin Konservatorët në pushtet. Ju kam dëgjuar që thoni është radha jonë, por kjo nuk është radhë kosi, e as qumështi, është koha e qytetarëve, ata do të vendosin në 11 maj”, tha Majko.