Mbyllet Ministria e Kulturës për të rilindur në një të re bashkë me ekonominë dhe inovacionin.
Ajo do të drejtohet nga Blendi Gonxhja që prej pesë vitesh është drejtor i përgjithshëm i shërbimeve të transportit rrugor.
Largimin e Elva Margaritit dhe krijimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me në krye Blendi Gonxhja, kryeministri Edi Rama e bëri me dije në platformën “X”.
Për ndryshimin e papritur në kabinetin qeveritar, Edi Rama shkruan se ekonomia, kultura dhe inovacioni kërkojnë një drejtim strategjik nën të njëjtën çadër ministrore.
“Lipset të kalohet në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës”, shkruan Rama.
Si arsye për t’ia besuar ministrinë më të re Blendi Gonxhes, një bashkëpunëtori të tij të vjetër që kur ai ishte kryebashkiak i Tiranës, Edi Rama thotë se është kjo:
“Një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standarteve europiane”, tha ai.
Pas 10 vitesh të qeverisjes socialiste “kultura” nuk do të ketë më një ministri të dedikuar. E drejtuar nga dy gra, fillimisht nga Mirela Kumbaro dhe më pas Elva Margariti me vendim të Edi Ramës ajo do të duhet të bashkëjetojë me inovacionin dhe ekonominë që këtë të fundit ia heq Ervin Metes që do të jetë vetëm Ministër i Financave./vizionplus.tv/





