Në sheshin “Skënderbej” dhe në rrugët e Tiranës janë ndezur këtë të premte dritat vezulluese që simbolizojnë ardhjen e festave të fundvitit.

 

Për të krijuar një atmosferë sa më festive është kujdesur kori i Liceut Artistik dhe Banda Frymore e qytetit të Tiranës, ndërsa dhjetëra fëmijë të veshur me ngjyrat e festave të fundvitit, por edhe qytetarë të shumtë, kishin rrethuar pemën gjigante të Vitit të Ri.

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj i pranishëm në këtë ceremoni është shprehur se Tirana u bashkohet këtë vit kryeqyteteve të botës, të cilat kanë vendosur t’i nisin pak më shpejt festat, duke marrë pjesë në ndezjen simbolike të dritave të pemës.

“Disa prej jush, sidomos fëmijët që janë këtu, më kanë çuar peticione, kanë mbledhur firma në klasë, në lagje, në shkollë dhe na kanë thënë: Lali Eri, a mund të zgjasësh pak më shumë festat, se mbyllen shumë shpejt? Nuk i zgjasim dot pas 1 janarit, por ajo që mund të bënim është t’i fillojmë pak më herët, e në fakt, në gjithë qytetet e botës ka filluar pak më herët festa, ndaj kjo është arsyeja pse do t’i hapim që sot dritat e festës, jo vetëm këtu, por në disa vatra, edhe në sheshin Skënderbej, edhe tek Liqeni, këtë fundjavë tek Pazari i Ri dhe në të 24 njësitë e Tiranës, për t’u siguruar që e gjithë Tirana, nga cepi në cep, ka një stinë festash të jashtëzakonshme”.

 

Veliaj ndër të tjera shtoi se stina e festave duhet të shërbejë për këdo, jo vetëm për të festuar dhe kaluar më shumë kohë me njëri-tjetrin, por edhe për të treguar më shumë solidaritet me më të dobëtit.

 

“Ashtu siç bëmë vjet, e gjithë stina e festave duhet të jetë një stinë solidariteti për të ndihmuar të moshuarit, për të ndihmuar ata që janë në qendrat sociale, për të ndihmuar personat që janë të vetmuar, personat që janë në institucione, siç është Shtëpia e të Moshuarve apo Shtëpia e Fëmijëve. Jam i bindur se Tirana do jetë këtë vit edhe më solidare”.

 

Gjithashtu kryebashkiaku ka bërë thirrje banorëve të kryeqytetit që së pari të festojnë festën e çlirimit të Tiranës dhe më pas edhe festat kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *