Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera perëndimore po konsiderojnë edhe evakuimin e ambasadave, ndërsa presidenti amerikan dhe homologu rus pritet të komunikojnë në një lidhje telefonike. Sakaq, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar se përveç të tjerave, ekziston rreziku edhe për rrëzimin e qeverisë në Kiev.

 

JENS STOLTENBERG

SEKRETAR I PERGJITHSHEM, NATO

 

“Ka rrezik për një pushtim të plotë por gjithashtu edhe për të tjera veprime agresive, duke përfshirë rrëzimin e qeverisë në Kiev, sulme kibernetike hibride dhe të tjera modele të agresionit rus. Kombinimi i organizimit ushtarak me retorikën kërcënuese si dhe historia që ka Rusia me sulmet ndaj fqinjëve, na jep arsye të mjaftueshme që të shqetësohemi seriozisht të jemi vigjilentë dhe gati për të reaguar nëse Ukraina sulmohet sërish.”

 

Udhëheqësi i Republikës Popullore të vetëshpallur të Donetsk, Denis Pushilin, deklaroi se separatistët nuk do të sulmojnë të parët, por do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur veten.

 

Sakaq, gatishmëria ushtarake vjen duke u përforcuar. SHBA kanë dislokuar 3000 ushtarë të tjerë amerikanë në Poloni dhe Rumani. Pentagoni tashmë ka rreth 80,000 trupa në të gjithë Evropën me status të përhershëm dhe në dislokime me rotacion.

 

Një ngarkesë prej 130 tonësh municion mbërriti në Kiev si pjesë e paketës 200 milionë dollarësh ndihmë për sigurinë nga Uashingtoni ndërsa automjetet luftarake të këmbësorisë ukrainase vijojnë stërvitjen në rajonin lindor të Donbasit.

 

Në këto kushte, edhe Britania e Madhe ka bërë thirrje që qytetarët e saj të largohen sa më parë nga Ukraina. Ata që zgjedhin të qëndrojnë nuk duhet të presin një evakuim ushtarak nëse shpërthen konflikti me Rusinë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *