Vazhdon të jetë i lartë fluksi i kalimeve të paligjshme të kufirit nga Greqia në drejtim të Shqipërisë të shtetasve që vijnë nga Lindja e Mesme.

Fluks i cili mbetet i lartë edhe në kushtet kur ka pasur reshje të shumta shiu shoqëruar me temperatura që janë ulur me disa gradë.

Burime zyrtare të siguruara pranë Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit bëjnë me dije për Vizion Plus se vetëm gjatë muajit tetor nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, kanë hyrë afro 1200 refugjatë. Edhe gjatë dhjetë ditëve të muajit nëntor nga vendi fqinj nëpërmjet vijës së gjelbër kanë hyrë diçka më tepër se 450 shtetas që vijnë nga vendet në konflikt.

Të njëjtat burime thanë se numri më i madh i refugjatëve janë irakenë dhe marokenë, ndërkohë që ka edhe algjerianë dhe nga dita në ditë më pak sirianë. Një pjesë e mirë e refugjatëve që vijnë nga Greqia janë familjarë të cilët pasi meren në pyetje nga oficerët e kufirit dhe FRONTEX dërgohen drejt qëndrës së azilkërkuesve në Babrru.

Pjesa tjetër pasi kryhen procedurat i dorëzohen policisë greke.

Në kushte të tilla policia kufitare e juglindjes ka shtuar forcat në terren, por gjatësia e madhe e vijës kufitare me Greqinë si dhe mungesa e mjeteve lëvizëse dhe pasijeve e bën të pamundur kontrollin e gjithë territorit.

Gjatë ditëve të fundit janë shtuar rastet e transportimit të refugjatëve në mënyrë të paligjshme, nga qyteti i Bilishtit drejt kryeqytetit. Deri tani policia e Pogradecit por edhe ajo e Devollit, kanë goditur disa raste të transportit të emigrantëve. Rasti i fundit është shënuar ditën e sotme, kur një 20 vjeccar nga Kamza është kapur nga policia me 12 klandestinë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *