Ministri Tahiri: Serbia të marrë përgjegjësi për personat e humbur

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga homologët serb që të reflektojnë seriozisht dhe t’i marrin përgjegjësitë e veta për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur nga lufta në Kosovë.
Ministri ka ftuar gjithashtu edhe vendet e Bashkimit Evropian që ta trajtojnë me prioritet këtë çështje.
“Kjo nuk duhet parë si temë politike, por si një përkushtim mbi bazën e humanizmit, sepse është e drejtë themelore e familjarëve për të ditur mbi fatin e më të afërmve të tyre dhe Republika e Serbisë ka përgjegjësi ndaj kësaj çështjeje”.
Sipas Tahirit personat që janë zhdukur nga lufta në Kosovë janë plagë e rëndë jo vetëm për familjarët, por për gjithë shoqërinë tonë dhe kjo temë duhet të marrë një epilog.
“Në referencë të kërkesës sime drejtuar homologëve të vendeve të Bashkimit Evropian, për ta shtuar presionin ndaj Serbisë që t’i hapë arkivat dhe të japë çdo informacion në lidhje me fatin e personave të zhdukur, sot kam pranuar një letër nga ministrja e Drejtësisë e Francës, znj. Nicole Belloubet, përmes së cilës kam marrë mbështetje të plotë në kërkesën time”.




