Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi priti në një takim homologun e tij kroat, Mario Banožić. Në qendër të diskutimeve ishin raportet shumë të mira mes dy vendeve, kontributi i tyre në kuadër të Aleancës si dhe situata e krijuar në të gjithë botën nga agresioni rus në Ukrainë.

 

Në konferencën e përbashkët për mediat, Peleshi tha se pushtimi ushtarak rus i Ukrainës është një agresion i qartë, një luftë e paligjshme dhe kriminale kundër një vendi sovran.

 

“Shqipëria e ka dënuar menjëherë këtë akt të paprovokuar agresioni, duke dhënë kontribut të dorës së parë në fushën e diplomacisë (nga OSBE, NATO në Këshillin e Sigurimit të OKB-së si anëtare e përkohshme), por edhe ndihmë konkrete ushtarake. Situata në Ukrainë na dha një mësim të madh. Hezitimi për të zbatuar me vendosmëri ‘politikën e dyerve të hapura’, hezitimi për të pranuar vendet që duan të përqafojnë vlerat perëndimore, në NATO dhe BE është një gabim i madh. Ne duhet të ngremë zërin që të tjerët të kuptojnë rëndësinë e integrimit euroatlantik për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.

 

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, z. Mario Banožić, falenderoi për mikpritjen ministrin Peleshi si dhe shprehu mbështetjen e pakursyer të vendit të tij në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

 

“Situata aktuale tregon edhe një herë se anëtarësimi euroatlantik është jetik për vendet e rajonit tonë. Shpreh mbështetjen time të fortë për Republikën e Shqipërisë në anëtarësimin sa më të shpejtë të saj në Bashkimin Evropian”, u shpreh Banožić.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *