Presidenti Ilir Meta uroi besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit. Në “Facebook”, Meta tha se bazuar në vlerat e besimtarëve, duhet të ndërtohet një Shqipëri më njerëzore, pa vese, dhunë e korrupsion.

 

“Shumë shqiptarë ndanë gjatë Ramazanit ndihmën e tyre fisnike për njerëzit në nevojë, duke ju gjendur pranë të sëmurëve, të varfërve dhe të pamundurve, me qëllimin e mirë për të ndërtuar një jetë të përbashkët komunitare, më të drejtë dhe më solidare. Mbështetur në këto parime dhe vlera të larta hyjnore, morale, sociale dhe kombëtare është koha të angazhohemi çdo ditë për të ndërtuar një Shqipëri më njerëzore, që udhëhiqet me besimin në Zot, me përgjegjësinë qytetare dhe institucionale, vetëm drejt së mirës së përbashkët dhe që e refuzon arrogancën, korrupsionin, veset dhe dhunën, në çdo formë që ato mund të shfaqen.  Kremtimet e Fiter Bajramit na kujtojnë sot me krenari sakrificat e patriotëve tanë të besimeve të ndryshme fetare për të ndërtuar shtetin e pavarur dhe sovran, si dhe për të konsoliduar një nga vlerat më përfaqësuese të kombit shqiptar, harmoninë e mrekullueshme ndërfetare. Kjo trashëgimi e vyer nuk do të ishte e mundur pa kontributin e jashtëzakonshëm të klerikëve myslimanë, të cilët mbi gjithçka vendosën Atdheun, si gjënë më të shenjtë.”

 

Kreu i shtetit bëri thirrje që të gjithë të angazhohen për të mbrojtur demokracinë dhe që Shqipëria të kthehet në familjen e të gjithë shqiptarëve, ku të mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre të sigurt.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *