Subscribe

Një tjetër koncesion i qeverisë është rrëzuar nga presidenti Ilir Meta. Kreu i shtetit ka kthyer për shqyrtim në Kuvend projektin e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”.

 

Presidenti bën me dije se dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 51/2019  “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”.

 

Sipas Metës, ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare, ku vullneti i qeverisë shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me rregullat që normojnë këtë proces, në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit, duke krijuar rrezik për cenim të interesit publik.

 

“Me formën dhe procedurën e ndjekur, Autoriteti Kontraktor nëpërmjet informacionit të publikuar ka krijuar një perceptim të rremë dhe të shtrembëruar për publikun apo për konkurrentët e tjerë të mundshëm të huaj apo vendas mbi vlerën e projektit, të cilët pasi janë njohur me vlerën fillestare 50,575,020 euro kanë hezituar për të konkurruar, ndërkohë që kompania që ka paraqitur propozimin e pakërkuar të këtij projekti i është dhënë e drejta të ofertojë e negociojë çmimin.Ndërkohë që pas negocimit dhe dakordësimit ndërmjet palëve, vlera e kontratës koncesionare është dakordësuar të jetë 67 359 926 euro plus TVSH-në, duke treguar qartë se çmimi i dakordësuar midis palëve është 16,784,906 Euro, më i lartë se kostoja e projektit e publikuar nga vet autoriteti kontraktor për konkurrim”.

 

Ndërkohë një ditë më parë Presidenti ktheu në kuvend ligjin për një nga koncensionet me të sulmuara prej opozitës, atë për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *