Subscribe

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka marrë pjesë në ceremoninë e vlerësimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

 

Kreu i shtetit në fjalën e tij ka shprehur mirënjohje të thellë për ndihmën dhe solidarizimin maksimal të Kosovës në këto momente dramatike për Shqipërinë, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.

 

Meta ka falenderuar vendin e dytë të shqiptarëve edhe për mbështetjen e jashtëzakonshme financiare, duke u shprehur se Kosova ka një zemër bujare, edhe ata në pamundësi ekonomike shprehën solidaritet.

 

“Shqipëria për të përballur pasojat katastrofike të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, me një bilanc të rëndë lufte, nuk mbeti e vetme. Shumë vende mike e partnere bënë më të mirën e mundur për të na u gjendur pranë, por Kosova ishte e para që u ndodh aty, në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënoja. Ekipet tuaja ishin aty vëllazërisht për të shpëtuar jetë. Do ju jemi gjithmonë mirënjohës forcave të Kosovës, ekipeve të kërkim-shpëtimit, të shëndetësisë, policisë ushtarake, ekipit të vlerësimit, njësisë zjarrfikëse, etj, që treguan solidarizim, profesionalizëm dhe gatishmëri. Kosova duhet të jetë krenare për forcat e sigurisë së saj, por edhe të policisë. Çdo vend i NATO-s është krenarë me ta. Kosova dha dhe kontribut financiar, duke nxitur mbështetjen e jashtëzakonshme. Marrëdhënia jonë me Kosovën është e palëkundur edhe në momente dramatike. Kosova ka një zemër bujare, edhe ata në pamundësi ekonomike shprehën solidaritet, duke ndarë edhe varfërinë e tyre. Tërmeti i 26 nëntorit tundi fort, si asnjëherë më parë, themelet e shumë ndërtesave në Shqipëri, dhe madje i rrëzoi shumë keq disa prej tyre, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *