Meta letër Komisionerit për Zgjerimin në BE: Qëndroni krah interesave të popullit shqiptar

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër Komisionerit të BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Në letrën e tij, kreu i shtetit shpreh besimin se rekomandimi i Komisionit për hapjen e negociatave, do të përkrahet nga vendet e tjera anëtare.
Meta ka shprehur keqardhjen lidhur me procesin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, teksa ka cituar Varhelyi, i cili deklaronte se: “Ka një mosmarrëveshje me nominimin e anëtarëve të fundit, si pasojë e një interpretimi të procedurave të emërimit nga Presidenti i Republikës”. Ka një mosmarrëveshje lidhur me procedurën e emërimit të gjyqtarëve Kushtetues, por kjo vjen nga interpretimi i ndryshëm prej shumicës qeverisëse, e cila tenton të kapë Gjykatën Kushtetuese të vendit duke e shtuar krizën në Shqipëri.”
Presidenti pohoi se ka respektuar dhe zbatuar dispozitat Kushtetuese, ndërsa shkruan se shumica e socialistëve kanë miratuar ligje antikushtetuese. Ai shtoi se ka qenë tërësisht transparent dhe ka informuar zyrën e delegacionit te BE dhe të gjithë vendet anëtare të BE për çdo hap të këtij procesi.
“Kam bashkëpunuar me Komisionin e Venecias i cili është angazhuar për të dhënë një mendim lidhur me procedurën e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.”
Meta kërkoi nga Komisioni Europian që të qëndrojë krah interesave të popullit shqiptar, ndërsa paralajmëroi se kriza do të përshkallohet nëse demokracia goditet.
“Ndërsa Komisioni Evropian do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me çdo qeverisje në Shqipëri, unë besoj se KE duhet të qëndrojë me gjithë zemër krah interesave të popullit shqiptar. Çdo ndihmë që ka për qëllim gërryerjen e demokracisë dhe shtetit ligjor në vendin tim, do të përshkallëzojë krizën aktuale dhe inkurajojë çpopullimin e Shqipërisë”.




