Subscribe

Presidenti Ilir Meta mbështet ndalimin e ndërtimit të HEC-eve në lumin Vjosë dhe shpalljen e saj Park Kombëtar.

Në tryezën me temë “E ardhmja e Lumit Vjosa”, kreu i shtetit tha se çdo qëndrim kokëfortë s’do t’i shërbente të ardhmes së vendit dhe rrugës drejt BE-së. Meta i bëri thirrje mes të tjerash qeverisë që të reagojë, pasi po cënohet integrimi në BE.

Meta e sheh një arritje mjaft pozitive dhe shpresëdhënëse përurimin e Qendrës Kërkimore Ndërkombëtare për Vjosën, në Tepelenë.

“Lumi Vjosa është një pasuri natyrore për vendin. Ndërtimi i HEC-eve në shkallë të gjerë dhe hapësirat jo miqësore dhe armiqësore në zonat e gjelbrta, s’mund të jetë në rrugë e blertë për zhvillimin e vendit. Shkencëtarët këmbëngulin se HEC-et shkaktojnë dëme në sipërfaqet e ujërave, deri në ashpërsimin e klimës deri në ngrohjen globale. Shqetësim bën dhe cilësia e hartimit të raporteve për ndikimin në mjedis të HEC-eve. Ato shpesh përgatiten në tavolinë në mënyrë të shpejtë dhe shpesh miratohen ato që do qeveria dhe koncesionari. Këto ditë jam vënë në dijeni për një letër të hapur nga komuniteti europian për një shqetësim për HEC-et. Çuditërisht këto kambana nuk dëgjohen. Shteti shqiptar duhet të ruajë vlerat e natyrës dhe të shëndetit të njeriut. Do të mbështesja ndalimin e digave mbi Vjosë dhe shpalljen e saj Park Kombëtar. Çdo qëndrim kokëfortë s’do i shërbente të ardhmes së vendit dhe rrugës drejt BE-së. Çdo shqiptar duhet të shkojë në lumin Valbonë, që është për të vënë duart në kokë me atë çka është bërë”, tha Meta.

Sipas Presidentit, ndërtimi i HEC-eve në shkallë të gjerë, veçanërisht brenda zonave të mbrojtura, ose zonave që mund të mbrohen në të ardhmen, nuk mund të jetë një rrugë e qëndrueshme për zhvillimin e vendit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *