Kryeministri Edi Rama e nisi ditën e hënë me një takim në qytetin e Vlorës. Për një orë e 30 minuta, kreu i qeverisë mblodhi deputetët e qarkut si dhe përfaqësues nga bashkia e qytetit bregdetar.
Fokusi i takimit ishte tek projektet zhvillimore si dhe sezoni turistik. Burimet bënë të ditur se kryeministri la porosi të pranishmëve për një koordinim mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore, për përfundimin në kohë të projekteve.
Kryetarja e bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, tha se qyteti po fokusohet në një infrastrukturë të qëndrueshme, mobilitet urban të rregulluar, hapësira publike të menaxhuara mirë dhe një proces pastrimi me cilësi të lartë.
Mersini nënvizoi se në qytet vazhdojnë punimet për projektin e ujësjellësit, i cili ka përfshirë 65 km linjë për të përmirësuar furnizimin, sidomos në lagjet e reja.
Afati i përfundimit është fundi i majit, por qyteti nuk do të ketë mungesë uji. Në Lungomare, harta e plazheve do të mbetet e plotësisht publike, ndërsa do të ketë zona pa pagesë dhe zona me tarifë, të përcaktuara nga Këshilli Bashkiak. Zona të tjera, si Orikumi dhe Radhima, menaxhohen nga strukturat akomoduese.
Brunilda Mersini theksoi se, me këto përgatitje, Vlora do të jetë gati të presë vizitorët dhe të garantojë një sezon turistik të qetë dhe të organizuar.
INTERVISTA E PLOTË:
Çfarë mund të thuhet më tepër për këtë takim dhe cilat janë këto objekte të infrastrukturës që janë të rëndësishme për këtë sezon?
Brunilda Mersini: Vlora po përgatitet për fillimin e sezonit turistik. Ky nuk është më një sezon spontan, por një sezon i mirëorganizuar ku ne kërkojmë që oferta jonë turistike të jetë e qëndrueshme. Kjo përfshin një infrastrukturë të qëndrueshme, një mobilitet urban tashmë të rregulluar, hapësira publike të menaxhuara mirë, si dhe një proces pastrimi me cilësi të lartë.
Në Vlorë, ata që e vizitojnë dhe ata që banojnë aty, vënë re herë pas herë që hapen punime apo kanale pikërisht në këto muaj para sezonit. Ekziston një lloj paniku se mos këto punime nuk mbarojnë dot në kohë.
Brunilda Mersini: Projekti i ujësjellësit ka përfshirë 65 km të linjës në qytetin e Vlorës, pasi qyteti ka pësuar dinamika zgjerimi me lagje të reja. Afati i fundit është fundi i majit, kohë kur ky projekt do të jetë drejt përfundimit. Ndonëse nuk do të jetë përfundimi final, kjo nuk do ta pengojë bashkinë të vazhdojë me përmirësimin e infrastrukturës. Tashmë jemi në fazat finale për lidhjen e kontratave në mënyrë që sezoni turistik ta gjejë qytetin të qetë.
A janë mbyllur telashet me furnizimin me ujë, kanalizimet dhe tubacionet?
Brunilda Mersini: Ky investim është shumë i rëndësishëm dhe drejt fazës finale, por uji në qytet nuk mungon. Si në sezonet e kaluara, zona e Lungomares dhe Rajoni 3, që është zemra e qytetit, kanë furnizim 24 orë. Furnizim me orar të reduktuar ka vetëm në disa zona periferike.
Ndarja e plazheve është një çështje që çdo vit përsëritet me shqetësime. Ka diçka të re sivjet në ndarjen e parcelave të plazhit?
Brunilda Mersini: Vlora ka një bregdet shumë të shtrirë. Në zonën e Zvërnecit, me një vendim të Këshillit të Ministrave, operatorët turistikë që nuk kanë strukturë akomoduese por kanë lokale dhe bare, mund të aplikojnë direkt për të menaxhuar plazhet e tyre. Kjo zonë është tërësisht e menaxhuar dhe ka hapësirë edhe për plazhe publike. Zona e Orikumit dhe Radhimës po ashtu menaxhohet nga strukturat akomoduese. Ndryshimi sivjet është në zonën e Lungomares, ku harta do të mbetet tërësisht publike. Sipas vendimit të fundit, do të ketë zona publike pa pagesë dhe zona publike me tarifë, e cila do të përcaktohet nga Këshilli Bashkiak në vijim.
/vizionplus.tv





