Meloni: Nuk pendohem për afrimitetin me Trump, mbrojtja e interesave kombëtare ishte prioritet

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi se nuk pendohet për afrimitetin e treguar ndaj presidentit amerikan Donald Trump në fillim të mandatit të tij të dytë, duke theksuar se qëndrimi i saj kishte për qëllim mbrojtjen e interesave kombëtare të Italisë.
“Unë nuk pendohem për afrimitetin tim me presidentin Trump në fillim të mandatit të tij të dytë. Po mbroja interesat tona kombëtare. Ishte një qëndrim veçanërisht i dobishëm dhe i vlerësuar nga shumë vende evropiane”, u shpreh Meloni.
Në një intervistë për gazetarin e televizionit publik italian Rai, Bruno Vespa, në kuadër të librit të tij të ri që pritet të publikohet, Meloni tha se kjo qasje ndihmoi në ruajtjen e dialogut euroatlantik edhe në periudhat kur mirëkuptimi mes palëve ishte më i vështirë. Sipas saj, qëndrimi i saj kontribuoi gjithashtu në rikthimin e dialogut brenda NATO-s në dimensionin e duhur.
Kryeministrja italiane theksoi se kishte pasur marrëdhënie të mira edhe me ish-presidentin amerikan Joe Biden, por shtoi se ishte kritikuar edhe për këtë afërsi.
Duke folur për situatën financiare të Italisë, Meloni iu referua të dhënave të Institutit Kombëtar Italian të Statistikave (Istat), sipas të cilave raporti i deficitit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është rreth 3,08%. Megjithatë, ajo deklaroi se agjencitë e mëdha të vlerësimit dhe institute të njohura të kërkimeve ekonomike kanë vlerësuar se ky raport mund të jetë tashmë nën nivelin 3%.




