Zyrtari më i lartë i shtetit shqiptar ndonjëherë i hetuar dhe i arrestuar me urdhër të SPAK, Ilir Meta do të përballet për herë të parë me gjyqin e tij në themel në datën 27 prill. Të bashkëpandehur për dosjen CEZ DIA janë ish gruaja, Monika Kryemadhi dhe ish- vjehrra e tij, Fatime Kreyemadhi, me dy të tjerë.
“Përshëndes caktimin e 27 Prillit si datën e nisjes së gjykimit tim në themel! Do të jem atje, në çdo seancë, në respekt të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, që kam patur nderin t’ju shërbej në tre detyrat më të larta shtetërore, të Presidentit të Republikës, të Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit”, Ilir Meta, ish-presidenti i republikës.
Ilir Meta që nga 21 tetori i 2024 kur u arrestua në hyrje të Tiranës, ka këmbëngulur në pafajësinë e tij, duke e konsideruar gjyqin, politik.
“Dihet se ku e ka selinë korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri, atje ku ka hyrë Charles McGonigal dhe përfaqësuesi i Sinaloa-s. Por ata që ende nuk kanë gjetur guximin ta marrin njëherë në pyetje Kryetarin e Organizatës, natyrisht që do të firmosnin rrëmbimin tim kriminal që e pa e gjithë bota. Ejani më 27 prill të shikoni se si u justifikua ky rrëmbim mafioz bazuar vetëm mbi gënjeshtra dhe falsifikime. Ejani të gjithë të shikoni se si DIA ishte një krijesë jo vetëm de facto, por edhe de jure amerikane!”
Ish çifti Meta-Kryemadhi, është vënë nën akuzë për tre çështje: korrupsioni e pastrim parash me dosjen e njohur si CEZ-DIA, mosdeklarim pasurie për lobim dhe disa fatura mjekësore.
Prokurori i çështjes Sotir Kllapi, pretendon se Ilir Meta, si ministër i Energjitikës ka shkelur ligjin duke mos monitoruar mbledhjen e borxhit të prapambetur të faturave të energjisë në dëm të kompanisë CEZ. Sipas tij përmes pushtetit të tij shlyerja u bë nga shoqëria DIA, e cila nuk i përmbushte kriteret e domosdoshme ligjore për të mbledhur borxhin. Në bashkëpunim ata dyshohen për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe mosdeklarim të shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013–2019.
/vizionplus.tv





