Mbyllet shqyrtimi i dosjes “Veliaj”, debate në seancë, kryebashkiaku kërkon përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda
Gjykata e Posaçme mbylli shqyrtimin paraprak të dosjes “Veliaj”. Në seancën që do të vendoste për kalimin ose jo për gjykim të çështjes, pati debate të forta. I pranishëm në seancë ishte edhe kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, i cili braktisi sallën e Gjykatës së Posaçme.
Gjatë gjyqit, avokatja e shtetit Valentina Teodoresku kërkoi sërish kohë për t’u njohur me aktet e dosjes, duke thënë se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për t’u takuar me të mbrojturin prej saj. Si e tillë, nuk mund t’i vinte në dispozicion gjykatës konkluzionet.
Kjo shkaktoi ngritjen e toneve mes avokatit të kryetarit të bashkisë, Artan Gjermeni, i cili nuk është revokuar nga gjykata, dhe vetë Veliajt, të cilët, si përfundim, kërkuan përjashtimin e avokates së caktuar kryesisht nga shteti dhe të gjyqtares së çështjes, Etleva Deda.
Edhe pse shqyrtimi paraprak u përmbyll, çka do të thotë se palët kanë dhënë të gjitha argumentet pro dhe kundër, këtë të hënë gjykata nuk mundi të dalë me një vendim për fatin e dosjes, nëse do të kalojë apo jo për gjykim, për shkak të kërkesës për përjashtimin e gjyqtares Deda. Në këto kushte, seanca u shty për në datën 9 shkurt, ndërkohë që do të jetë një tjetër gjyqtar që do të vendosë brenda 5 ditësh nëse do ta përjashtojë ose jo gjyqtaren.
Erion Veliaj u arrestua në krye të detyrës, brenda Bashkisë së Tiranës të drejtuar nga vetë ai, nën dyshimet se, së bashku me gruan e tij, Ajola Xoxa, kanë kryer korrupsion me fondet publike në të paktën 10 raste. Prokurorët Olsi Dado dhe Altin Dumani thonë se kanë qenë kompanitë e zotëruara de facto dhe de jure nga Ajola Xoxa ato që kanë legalizuar miliona lekë. Nga ana e tij, SPAK e dyshon atë se ka kryer të njëjtat krime si bashkëshorti i saj, por njëkohësisht edhe se ka fshehur origjinën e parave.
/vizionplus.tv




