Pak orë pas arrestimit të Andrew Mountbatten-Windsor, vëllait të tij të vogël,Mbreti Charles deklaroi se “ligji duhet të ndjekë rrugën e vet”, duke shprehur gjithashtu “shqetësimin e thellë” për situatën. Andrew po hetohet për dyshime për sjellje të papërshtatshme në detyrë publike.
Në një deklaratë me shkrim, Charles, i cili sipas raportimeve nuk ishte njoftuar paraprakisht nga policia për arrestimin e vëllait, tha:
“Më shqetësoi thellë lajmi për Andrew Mountbatten-Windsor dhe dyshimet për sjellje të papërshtatshme në detyrë publike. Tani do të ndiqet një proces i plotë, i drejtë dhe korrekt, i cili do të shqyrtojë çështjen në mënyrën e duhur dhe nga autoritetet kompetente. Dua ta bëj të qartë: ligji duhet të ndjekë rrugën e tij.”
Ai shtoi se, ndërsa procesi vazhdon, nuk është e drejtë të bëjë komente të mëtejshme mbi çështjen dhe se familja e tij do të vazhdojë të përmbushë detyrat dhe shërbimin ndaj publikut.

Arrestimi i Andrew Mountbatten-Windsor, pasoi pas publikimit të emaileve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, që duket se tregojnë se ish-duka dhe vëllai i Mbretit Charles kishte ndarë me Jeffrey Epstein raporte për vizita zyrtare në Hong Kong, Vietnam dhe Singapor.
Një email datuar në nëntor 2010 duket se u dërgua nga Andrew te Epstein vetëm pesë minuta pas dërgimit të tij nga këshilltari i atëhershëm Amir Patel. Një tjetër email, në vigjilje të Krishtlindjeve 2010, duket se i kishte dërguar Epstein-it një përditësim konfidencial mbi mundësi investimi në rindërtimin e provincës Helmand në Afganistan.
/vizionplus.tv





