28 mijë maturantë në të gjithë vendin, rreth 2000 më pak se vitin e kaluar i janë nënshtruar këtë të hënë provimit të parë të maturës shtetërore, në lëndën gjuhës së huaj. Provimi i anglishtes, i cili zgjati 2 orë e 30 minuta, sipas maturantëve ishte i nivelit mesatar, ndërsa përmbajtja e testit ishte e gjitha e bazuar në kurrikulën e paracaktuar nga Ministria e Arsimit.
“I gjithë provimi ishte i bazuar në kurrikulën që kemi marrë dhe mendoj se bëhej nga të gjithë nxënësit”, tha një maturant.
“Në qoftë se ke mësuar gjatë gjithë vitit ishte i realizueshëm. Niveli b2 dhe kishte një nivel mesatar”, u shpreh një tjetër.
Edhe këtë vit teza u publikua në rrjetet sociale pak minuta pasi nxënësit filluan provimin, por ata shprehen se administrimi ka qenë sipas rregullave. Provimi u zhvillua në shkolla, duke përfshirë edhe sallat me hapësira më të mëdha siç janë palestrat apo korridoret, ku 70% e mjediseve ishin të monitoruara nga kamerat.
“Kishte kamera dhe administratorë që silleshin vërdallë në të gjithë hapësirën. Unë isha në palestër dhe kishte kudo administratorë. Kishte një mirëorganizim”, u shprehën maturantët.
“Kishte kontrolle të rrepta dhe nuk u la të kopjohej”, thanë ata.
Ndërsa ministria e Arsimit ka deklaruar se publikimi i tezës pas fillimit të provimit nuk cënon aspak procesin e Maturës Shtetërore.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron se akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës të gjuhës së huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces dhe as nuk zhvlerëson punën dhe mundin e mijëra mësuesve e punonjësve arsimorë, që janë angazhuar prej muajsh që ky proces të jetë transparent dhe i drejtë për të gjithë nxënësit. Ne dënojmë fuqimisht çdo përpjekje për të minuar integritetin e procesit të provimit dhe punën e maturantëve, mësuesve dhe punonjësve arsimorë”, tha ministrja
Provimet e maturës do te vijojne në 10 qershor me gjuhën shqipe dhe letërsisë, më 18 qershor me provimin e matematikëds per tu mbyllur ne 24 qershor me testimin ne lendet me zgjedhje. /vizionplus.tv