Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vlerësoi se pandemia është një situatë shumë sfiduese për qeverinë e qytetarët. Ajo tha në një konferencë se strukturat spitalore janë shtuar dhe se qeveria është e përgatitur.

 

“Jo vetëm që kemi patur strategji dhe plan veprimi, por udhëzuesi ynë në këtë pandemi kanë qenë ekspertët tanë. Kemi patur strategji në çdo fazë të kësaj pandemie. Plani i veprimit është dokument i përgatitur me ekspertët më të mirë shqiptarë dhe të huaj, strategjia e rihapjes dhe strategjia e përgjigjes për periudhën e vjeshtë-dimrit. Jo vetëm që kemi një plan, por e kemi të buxhetuar. Dimë se ku jemi. Duam të kemi një evoluim sa më të avashtë të kurbës. Kemi dyfishuar kapacitetet spitalore. COVID 3 dhe COVID 4 janë struktura të reja. Janë spitale të pajisura me çdo gjë të nevojshme, me linja oksigjeni për çdo shtrat. Edhe ekipet janë përgatitur e po përgatiten në vijim. Kemi strategji për testimin, ku kemi rritur katër herë testime krahasuar me muajin qershor. Ne e parandaluam valën e parë. Nuk e përjetuam tragjedinë që përjetuan fqinjët. Planifikojmë përfshirjen e testeve të shpejta të antigenit.  Situata është shumë sfiduese, por ju garantojmë që puna e ekipit të sistemit shëndetësor dhe në terren do të jetë në gatishmëri maksimale. 36 autoambulanca do të jenë pjesë e flotës anti-COVID që do të ofrojnë asistencë. Do të kryejnë shërbime të nevojshme, transferime në spitale dhe t’i përgjigjen fluksit.”

 

Sipas ministres, krahasuar me vitin 2013, sot ka 55.36% më shumë financim për shëndetësinë. Ajo nënvizoi se në fokus është edhe mbështetja e stafeve mjekësore, për të cilët do të ketë një rritje page me 40% duke nisur nga 2021.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *