Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e një 22 vjeçari u shënua paraditën e të dielës në aksin nacionale Burrel – Klos.
Mjeti me të cilin udhëtonte 22 vjeçari Elson Kola, doli nga rruga në vendin e quajtur “Shkëmbi i Kuq” në fshatin Suç, duke përfunduar 20 metra nën rrugë. Mjeti është ndalur nga pemët pasi mund të përfundonte në lumin Mat.
I riu është transportuar për në spitalin e Burrelit dhe pasi ka marrë ndihmën e parë është nisur drejt Tiranës, jashtë rrezikut për jetën. Policia e cila mbërriti në vendin e ngjarjes tha se paraprakisht dyshohet që shkak i aksidentit të ketë qenë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit të mjetit tip Fiat Punto.
Drejtuesit e automjeteve thonë se rruga nuk ka asnjë siguri pasi pothuajse në të gjithë gjatësinë e saj nga Miloti në Peshkopi mungojnë mbrojtëset anësore, çka shpeshherë mjetet përfundojnë në gremina.
Si pasojë e përmbysjes së mjetit agregat, një 49 vjeçar mbeti i plagosur po këtë të dielë në Bulqizë.





