Përplasjet territoriale mes Azerbajxhanit dhe Armenisë vijuan ashpër edhe këtë të hënë.

Ministria e mbrojtjes në Armeni, ka bërë me dije se numri i viktimave është rritur në 59, mes tyre civilë dhe ushtarë. Mbi 200 të tjerë janë plagosur. Ndërsa autoritetet e Azerbajxhanit, deklaruan se kanë mbetur 26 civilë të plagosur pas sulmeve me bomba e tanke që filluan një ditë  më parë.

Rajoni i Nagorni Karabakut është i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit por i kontrolluar nga armenët etnikë, të cilët janë vetëshpallur të pavarur. Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev ka deklaruar se nuk do të heqë dorë për të rimarrë kontrollin mbi rajonin.

Në disa zona të Azerbajxhanit, në Armeni dhe në Nagorni Karabak është shpallur gjendja e luftës. Konflikti ka mbetur i pazgjidhur për më shumë se tre dekada, ndërsa ka patur vazhdimisht përplasje të dhunshme.

Përleshjet kufitare në muajin korrik vranë të paktën 16 vetë, dhe u pasuan me demonstrata masive në kryeqytetin e Azerbajxhanit.

Kaukazi i Jugut është një korridor i rëndësishëm për tubacionet që transportojnë naftë dhe gaz natyror nga Deti Kaspik në tregjet botërore.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan premtoi mbështetje për Azerbajxhanin, duke i kërkuar edhe botës përkrahje në atë që e quajti “betejë kundër pushtimit dhe mizorisë”. Në Azerbajxhan ka një përqendrim të madh të popullsisë turke.

Rusia, Franca, Italia dhe Bashkimi Europian kanw bwrw thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe bisedime për paqe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *