Lufta Izrael-Hezbollah, Bejruti po shqyrton një propozim armëpushimi

Qeveria e Libanit po shqyrton një propozim të SHBA-së për një marrëveshje armëpushimi midis Hezbollahut dhe Izraelit, thanë zyrtarët në Bejrut të premten, ndërsa lëvizja islamike palestineze Hamas tha se ishte e gatshme të nënshkruante një marrëveshje armëpushimi me ushtrinë izraelite në Rripin e Gazës ku lufta vazhdon prej më shumë se një viti.
Që kur shpërtheu lufta në Rripin e Gazës, e shkaktuar nga një sulm i paprecedentë i Hamasit në zonat jugore të Izraelit më 7 tetor 2023, përpjekjet diplomatike që janë bërë kanë lejuar që një marrëveshje armëpushimi të arrihet vetëm një herë, për shtatë ditë, nëntorin e kaluar. Që atëherë, Hamasi dhe qeveria izraelite kanë fajësuar njëri-tjetrin për bllokimin e negociatave.
Nga ana e tij, Hezbollahu hapi një front më 8 tetor me Izraelin në mbështetje të aleatit të tij Hamas.
Një zyrtar i lartë i qeverisë libaneze i tha AFP se ambasadorja e SHBA në Bejrut, Lisa Johnson, i prezantoi kryeministrit Najib Mikati dhe kryetarit të parlamentit Nabi Berri një plan prej 13 pikash, duke përfshirë një armëpushim 60-ditor dhe vendosjen e ushtrisë libaneze në kufirin me Izraelin.
Një burim i dytë qeveritar konfirmoi se një propozim amerikan po shqyrtohet.
“Zoti Berry kërkoi një afat prej tre ditësh”, sqaroi burimi i parë, duke shtuar se ende nuk ka pasur përgjigje nga pala izraelite.
Sulme të reja ajrore “të rënda” goditën dje periferitë jugore të Bejrutit, sipas agjencisë kombëtare libaneze të lajmeve ANI.
Që nga 23 shtatori, ushtria izraelite ka kryer një fushatë masive bombardimi në të gjithë territorin libanez, duke synuar kryesisht bastionet e Hezbollahut, dhe që nga 30 shtatori, ajo ka filluar operacionet tokësore në Libanin jugor.
Më shumë se 3,440 njerëz kanë vdekur në Liban që nga 23 shtatori, shumica prej tyre civilë, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Bejrut.
Izraeli thotë se dëshiron të neutralizojë lëvizjen shiite aleate të Iranit në zonat kufitare në Libanin jugor për të lejuar kthimin e rreth 60,000 izraelitëve veriorë të cilët janë larguar nga shtëpitë e tyre nga zjarri i pamëshirshëm i Hezbollahut.
Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite vazhdoi granatimet e saj ndaj Rripit të Gazës, kryesisht në Deir al-Bala (në qendër).
“Unë u zgjova nga granatimet në orën 2:30 të mëngjesit,” tha Mohammed Baraka, një palestinez që qëndronte mes grumbujve të mbeturinave dhe xhamave të thyer të shpërndara kudo përpara shtëpisë së tij, e cila u shkatërrua nga një sulm izraelit. Ai foli për “3 të vrarë dhe 15 të plagosur” dhe i bëri thirrje “botës të ndalojë luftën”.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) gjithashtu raportoi se “disa palestinezë të zhvendosur” vdiqën “gjatë sulmeve në zonën al-Maghazi”, në pjesën jugore të enklavës.
Që nga tetori i vitit 2023, ofensiva izraelite në Rripin e Gazës ka marrë jetën e të paktën 43,764 njerëzve, shumica e tyre civilë, sipas të dhënave nga ministria e Shëndetësisë e Hamasit, e cila konsiderohet e besueshme nga Kombet e Bashkuara.
Operacionet ushtarake izraelite, të cilat e kanë zhytur enklavën palestineze në një krizë humanitare gjithnjë e më serioze, besohet se kanë dobësuar krahun ushtarak të Hamasit./vizionplus.tv




