Subscribe

Në ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Liderat e politikës bënë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani pas homazheve, raporton Vizion Plus, u shpreh se Prekazi bashkoi një komb të tërë rreth kauzës për çlirim dhe se populli i Kosovës e ka për detyrë të kujtojë këtë datë historike.

 

VJOSA OSMANI

PRESIDENTJA NË DETYRË KOSOVË

“Jemi këtu në Prekaz në vendin që bëri bashkë një Komb të tërë rreth kauzës për çlirim, në vendin që është shndërruar në ikonë të lirisë, dhe në simbol të sakrificës më sublime të komandantit legjendar Adem Jashari.E kemi borxh që kujtesën historike e mbi të gjitha ndjenjën e mirënjohjes së thellë ta bartim brez pas brezi në mënyrë që edhe fëmijët tanë por dhe fëmijët e fëmijëve tanë ta kujtojnë se sa i lartë ishte çmimi që pagoi populli shqiptar në mënyrë që sot ta kemi shtetin tonë”

 

Edhe Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti,i  shoqëruar nga disa prej ministrave kujtoi sakrificat e familjes Jashari për pavarësinë e vendit.

 

AVDULLAH HOTI

KRYEMINISTRI NË DETYRË NË KOSOVË

“Bashkë me anëtarët të kabinetit në kuadër të shënimit të Epopesë së UÇK-së jemi këtu për të treguar respektin tonë, të qeverisë, të gjithë qytetarëve të Kosovës, të popullit shqiptar për sakrificën e jashtëzakonshme të kësaj familje që është e përmasave historike dhe jam i bindur që tejkalon çfarëdolloj sakrifice që mund të bëj dikush për lirinë dhe pavarësinë e vendit”

 

Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti tha se edhe pse kanë kaluar shumë vite nga vrasja e anëtarëve të familjes Jashari , ende nuk ka asnjë të dënuar për këtë vepër.

 

ALBIN KURTI

KRYETARI I LËVIZJES VETËVENDOSJA

“Tre breza, gjithsej 59 veta para 23 vjetëve u flijuan në Prekazin historik për lirinë e Kosovës. Për këtë sulm shtetëror të Serbisë ndaj familjes legjendare Jashari, askush nuk është gjykuar dhe nuk ka pasur asnjë gjykim për këtë krim shtetëror të Serbisë që dikush të dënohet. Drejtësia është vonuar dhe as s’ka filluar, prandaj ne duhet të angazhohemi që kjo të ndryshojë për hir të Republikës së Kosovës, për hir të pasardhësve të Jasharëve dhe për hir të kombit tonë.”

 

Njëzetetet vjet më parë, në Prekaz, gjatë sulmeve të forcave serbe të sigurisë në këtë fshat, janë vrarë më shumë se pesëdhjetë anëtarë të familjes Jashari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *