Lëvizte me mbi 900 gramë kokainë në makinë që do ta shiste pranë shkollave, arrestohet 34-vjeçari në Tiranë

Një 34-vjeçar është arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Shkolla të Pastra”, pasi u kap me mbi 900 gramë kokainë, të cilën dyshohet se synonte ta shiste pranë shkollave dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë në Kamëz dhe Fushë-Krujë.
Sipas Policisë, në automjetin tip “Toyota Yaris” që drejtonte 34-vjeçari, me inicialet D.V., në bulevardin “Nënë Tereza”, u gjetën 505.6 gramë kokainë. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan edhe 397 gramë të tjera të së njëjtës lëndë narkotike.
Në total, autoritetet sekuestruan 902.6 gramë kokainë, automjetin dhe një celular. I arrestuari dyshohet se e kishte siguruar lëndën narkotike me qëllim shitjen në zonat pranë shkollave dhe ambienteve ku frekuentojnë të rinjtë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




