Deputetja Rudina Hajdari shprehet se nëse miratohen kërkesat e opozitës për ndryshim sistemi më 30 korrik, i jepet mundësia që mos të futet në zgjedhjet e ardhshme si e bija e Azem Hajdari.

E ftuar në emisionin “Kapital” në Vizion Plus, deputetja deklaroi se shumë qytetarë janë mbështetës për lista të hapura, teka shtoi se mazhoranca nuk duhet t’i “kthejë shpinën” këtij momenti.

“Deri më tani, u cilësova sikur hyra në Parlament si e bija e Azem Hajdarit. Nuk dua të shkoj në zgjedhjet e ardhshme si vajza e Azem Hajdarit, por si Rudina Hajdari. Dua të shkoj me kokën lart, me votat e mia. Kur hyra në sistem, hyra duke menduar se zoti Basha ishte një nga ata personat që do të ishte mbështetës për ndryshimin e sistemit zgjedhor të Shqipërisë. Opinioni publik ka ndryshuar mendim për ndryshimin e sistemit. Është një moment delikat. Nuk duhet që mazhoranca t’ia kthejë shpinën këtij momenti. Kam gjetur mbështetje tek shoqëria civile, grupet e interesit, nga qytetarët që janë mbështetës për listat e hapura. Kam qenë vetë e angazhuar. Është një proces demokratik dhe i duhur.”

Nëse opozita fiton betejën për hapjen e listave, Hajdari konfirmoi se po përgatitet për një lëvizje të re politike. Ajo shtoi se ka krijuar tashmë një ekip me persona që duan të japin kontributin e tyre në këtë vend.

“Duhet të krijojmë kushtet për forca të reja, zgjedhje të mira, demokratike. Për një listë që është e hapur, në mënyrë që votuesit të mos votojnë vetëm për sigla partie. Unë kam dëshirë të qëdroj në politikën shqiptare. Në momentin që hapen listat apo fitojmë këtë betejë më 30 korrik, padyshim që për të formuar qoftë një ekip (tashmë e kam krijuar këtë ekip politik, të rinjsh) që duan vërtetë këtë lloj ndryshimi. Nuk është e lehtë të krijosh parti. Është një lëvizje kundër të vjetrës. Një elitë e re politike, e edukuar jashtë, por edhe në Shqipëri, që ka dëshirë për të kontribuar në Shqipëri.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *