Ministrat Delina Ibrahimaj dhe Blendi Gonxhja kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen e parakohshme dhe të padrejtë nga jeta të Elizabeta Katiaj, 43 vjeçe, nënkryetares së Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare.
Katiaj dhe pasagjerja Eorda Sinollari, 32 vjeçe, u aksidentuan këtë të premte në aksin Prizren-Suharekë, kur makina e tyre me targa shqiptare u përplas me një kamion. Fatkeqësisht, të dyja ndërruan jetë në vendngjarje.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, thekson se kontributi i Elizabeta Katiaj në zhvillimin e biznesit dhe fuqizimin e grave shqiptare do të mbetet frymëzues. “Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen e saj nga jeta. Elizabeta la pas një trashëgimi të çmuar në shërbim të diasporës shqiptare dhe fuqizimit të grave sipërmarrëse,” shkruan Ibrahimaj, duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit.
Edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, shprehu pikëllimin e tij: “I rëndë lajmi për ndarjen tragjikisht nga jeta, në moshë të re, të Elizabeta Katiaj. Kontributi, përkushtimi dhe energjia që ajo dha do të kujtohen gjithmonë me respekt dhe mirënjohje.”
/vizionplus.tv





