Subscribe

Rreziku nga rritja e çmimeve nuk quhet i tejkaluar, madje lufta e re në Lindjen e Mesme bën që ecuria e tyre të jetë edhe më e pasigurt.

 

Për këtë arsye qeveria është tërhequr nga ligji, që indekson akcizën sipas inflacionit, për produktet si: karburant, kafe, birrë, pije alkoolike dhe ato energjike.

 

Nisur nga rritja e fortë e inflacionit në dy vitet e fundit, indeksimi është kufizuar duke përcaktuar një normë dysheme.  Qeveria thotë se ky kufizim do të shmangë efektin e barrës fiskale, në rritjen e mëtejshëm të çmimeve, sidomos për karburantet që  paguajnë më shumë detyrime.

 

Ministri financave Ervin Mete sqaroi formulën që do të zbatohet.

 

Lidhur me akcizën, edhe pse ligji parashikon që të ketë indeksim të normës së akcizës, bazuar në nivelin kumulativ të inflacionit çdo dy vite, në vlerësimin tonë, nisur nga niveli i pazakontë i inflacionit në dy vitet e kaluara, kjo masë e ligjit do duhet të ndryshojë. Ndaj propozojmë vendosjen e një tavani prej 1.5% indeksim çdo dy vite- u shpreh ministri Ervin Mete

 

Që nga viti 2022, tarifat specifike të akcizës së mallrave aplikohen në vlerë absolute, vlerë e cila merr në konsideratë inflacionin e vitit paraardhës.

 

Duke qenë se inflacioni mesatar në dy vitet e fundit është i lartë, zbatimi i kësaj mase është vendosur që të kufizohet, për shkak të efekteve që do të kishte në treg. Edhe ky kufi i vendosur prej 1.5 % në çdo rast do të shkarkohet në çmimin final të produkteve në treg. Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm akciza e cigareve, e cila ka një parashikim për rritje progresive pesë vjeçare. Në 2024, akciza e duhanit do të jetë 7250 lekë për 1000 fije, nga 7000 që është aktualisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *