Pas një periudhe tre vjeçare, Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për skemën e mashtrimit me një Call Center në kryeqytet, që arriti tu vjedhë qytetarëve europianë të paktën 2 milionë euro.
Dosja tashmë kaloi për gjykim dhe sipas hetimit, pas këtij mashtrimi është shtetasi izraelit Rafael Genish. Ndërkohë për gjykim janë edhe 38 shqiptarë, të dyshuar si të përfshirë në krim.
Hetimi trevjeçar, i realizuar në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe partnerët europianë, zbuloi se skema përfshinte platforma fiktive investimesh ku qytetarët mashtroheshin që të investonin përmes call centerave që operonin në Tiranë, duke përdorur faqe të ndryshme internet.
Fitimet ishin virtuale, ndërsa depozitat zhdukeshin. Paratë e fituara pastroheshin përmes transfertave fiktive në banka të vendeve me risk të lartë për pastrim parash, si Lituania, India dhe Malta.
Sapo qytetari regjistrohej në platformën e mashtrimit me të dhënat e tij personale, ai kontaktohej nga call centeri në Shqipëri që i kërkonte fillimisht investime të vogla përmes faqeve të internetit dhe pas i kërkoheshin shuma më të mëdha me investimive në aksione kompanish të ndryshme dhe kriptovaluta.
Rafael Genish është arrestuar në dhjetor të vitit 2021 nga polica e Tiranës dhe është lënë nga gjykata në masën arrest me burg. Në atë kohë ai mohoi akuzën, por ishin autoritetet gjermane ato që zbuluan call centerin e drejtuar prej tij me të cilin kishte arritur që të mashtronte me mijëra qytetarë të huaj./vizionplus.tv





