Më 19 dhjetor Altin Dumanit i mbaron mandati si kreu i SPAK; emri i pasardhësit të tij mbetet ende temë diskutimi në opinionin publik.
I ftuar në studion e Quo Vadis, avokati Kujtim Ibraj vlerësoi lart figurën e Dumanit, duke theksuar se ai e ka ngritur shumë lart “stekën” e SPAK, dhe zëvendësuesit do t’i duhet shumë punë të mbetet në të njëjtin nivel.
Por për avokatin tjetër, Leonard Karaj, sjellja e Dumanit lë për të dëshiruar, ndërsa solli në vëmendje përplasjen mes tij dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në sallën e gjyqit.
Pjesë nga biseda:
Ibraj: Dumani e ka ngritur stekën lart, zëvendësuesi i tij duhet të mbajë ritmin. Për mua në finale janë Xholi dhe Braho. Unë jam për Andan Xholin, pasi ka një qetësi të nevojshme për një kryeprokuror siç është SPAK.
Karaj: Dhe procedural.
Ibraj: Dumani e ka ngritur stekën shumë lart për hir të së vërtetës. Ai, në dallim me Xholin, është pak emocional dhe te kjo pjesë ka çeduar. Përfshihet shumë në çështje.
Borakaj: Në publik apo në hetimin e dosjeve?
Ibraj: Në publik, e merr pak emocionalisht.
Karaj: Kujto seancën me Erion Veliajn, nuk flet një prokuror në atë mënyrë. Prokurorit nuk i lejohet të kalojë përtej vijave.
Ibraj: Natyra njerëzore kështu është. Dumani është karakter emocional, por i ka dhënë emrin SPAK.
Karaj: Unë uroj të ketë ngelur ndonjë dekoratë akoma.
Borakaj: Ia kanë hequr dekoratat presidentit.
Karaj: Ia kanë lënë Ramës në dorë.





