Kostot e larta të prodhimit dhe rendimenti i ulët, biznesi tregon pse nuk rrit pagat
Tregu i pagave prej më shumë se dy vitesh është nën presion të fortë për shkak të largimit të fuqisë punëtore. Në shumë pozicione pune pagat janë rritur, pasi bizneset nuk po gjejnë më staf, por në shumë të tjera pagat kanë një ritëm të ulët të rritje së tyre.
Bizneset argumentojnë disa arsye pse ata nuk mund të rrisin pagat për punonjësit e tyre. Bardhyl Baltëza, biznesmen prej 30 vitesh në industrinë ricikluese, gjatë një interviste për emisioni “E-ZONE” tregon njërin prej tyre.
“Ne sot paguajmë kostot për lëndën e parë, gazin, energjinë elektrike etj., më shtrenjtë se çdo vend tjetër i rajonit dhe Europës. Pra ne kosto e prodhimit i kemi më të shtrenjtat se konkurrentët tanë . Kjo na bën që të mos i rrisim dot pagat aty ku duam dhe aty ku kërkon tregu. Nëse ne s’do kishim këto kosto ju sigurojë që do të kishim dyfishuar pagat dhe rinia nuk do të largohej nga vendi”, – sqaroi Baltëza.
Filip Gjoka është një sipërmarrës në fushën e përpunimit të bimëve medicinale. Ai operon prej 25 vitesh dhe veprimtaria e tij është e lidhur me fshatin, aty ku mbillen dhe grumbullohen bimët medicinale. Përpunimi i bimëve në disa procese është i automatizuar.
“Pagat që ofron kjo industri janë 40-50-60-mijë lekë. Ne kemi këto paga, pasi kemi rendimet të ulët të punonjësve. Ne kemi shumë pak procese që i bëjmë me punë dore, pjesa tjetër janë të automatizuara proceset. Pranë unë kam investuar në blerjen e makinerive. Nuk mundem që të rris pagat, aq më tepër tani kur prej më shumë se dy vitesh monedha europiane është zhvlerësuar ndjeshëm”, – tha Gjoka në Vizion Plus.
Edhe për vitin 2025 pritshmëritë e biznesit janë që tregu do të vijojë të jetë nën presionin e mungesës së fuqisë punëtore, ndaj pagat do të vijojnë të rriten.




