Duke marrë shkas nga rritja e infektimeve me koronavirus, qeveria e Kosovës ka miratuar masa të reja kundër COVID-19.
Nga data 20 gusht deri më 10 shtator, hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambienteve ku mbahen dasmat, fejesat, festat familjare e të ngjashme, tubimet masive, të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, do të lejohet vetëm me certifikatën e vaksinimit kundër COVID.
Në mungesë të dëshmisë për vaksinim, qytetarët duhet të paraqesin testin negativ me koronavirus, jo më i vjetër se 72 orë.
“Për shkak se në shtator fillon procesi mësimor, ne kemi parapare që masat të jenë deri më 10 shtator, por nëse situata epidemiologjike ka ndryshime, ne do të analizojmë masat ku do të përfshihen institucionet private dhe publike”, deklaroi Arben Vitia.
Personat që janë nën 18 vjeç përjashtohen nga prezantimi i dëshmisë së vaksinës, përveç rasteve kur hyjnë në klubet e natës.





