Shqipëria ka bërë përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por megjithatë eurodeputetët mbeten kritikë për nivelin e korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe shpërdorimin e fondeve.
Një delegacion eurodeputetësh, pas një vizite në Tiranë, bëri të qartë se pa luftuar korrupsionin, Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e BE.
“Keni planifikuar të jeni pjesë e BE në 2030. Mund të përmend shumë projekte, nuk jemi të kënaqur me shpenzimet e parasë. Shumica po hetohen nga OLAF dhe Prokuroria Europiane. Nuk jemi këtu për t’ju kritikuar, duam t’ju mbështesim që të jeni pjesë e BE. Lufta kundër korrupsionit është thelbësore, ky është mesazhi për Shqipërinë: Nuk do të pranojmë kurrë asnjë vend të hyjë në seksionin evropian nëse ka vetëm pak hapësirë për korrupsion dhe për keqpërdorimin e fondeve evropiane. Ne jemi shumë të rreptë me të gjithë”, tha eurodeputeti Tomas Zdechovsky.
Duke vlerësuar se pavarësisht problemeve që ende ekzistojnë, Shqipëria është në rrugën e duhur të reformimit, eurodeputetët presin rezultate më të prekshme në vazhdim.
“Rruga nga miratimi i rregullave të BE drejt ndërtimit të një kulture llogaridhënëse është e gjatë. Ne jemi të bindur se gjatë 2-3 viteve të ardhshme do të ketë rezultate më të prekshme, duke siguruar pavarësi gjyqësore dhe auditim. Ju jeni në rrugën e duhur. Patëm rastin të takoheshim edhe me SPAK, ka hetime të nivelit të lartë mendoj që kjo është arsyeja pse duhet të kënaqemi me kaq sa kemi arritur deri tani. Duhet të ecim krah për krah dhe në takimin tjetër shpresoj që të flasim për më shumë arritje”, u shpreh Zdechovsky.
Të martën Shqipëria hapi grup-kapitullin e radhës në kuadër të procesit të negociatave, ndërsa Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos u shpreh se ritmi i vendit tonë është mbresëlënës.
/vizionplus.tv





