Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe deputeti Fatmir Xhafaj vizituan kopshtin e ri në Njësinë 10, i cili e çon në 109 numrin total të çerdheve dhe kopshteve të reja të hapura në kryeqytet gjate 9 viteve.
“Më vjen mirë që e çliruam këtë hapësirë dhe e ndërtuam nga e para. Për ne ky është kopshti ose çerdhja e 109-të që hapim në Tiranë. Për dikë mund të duket statistikë, por kur mendon që secila prej tyre është një vatër e madhe, që i ka sjellë një kontribut të jashtëzakonshëm komunitetit, jo vetëm për zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve, por edhe për lehtësimin e prindërve, që ata t’i rikthehen karrierës, të sjellin një rrogë tjetër në shtëpi, është vërtet bekim”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.
Veliaj shtoi se duke filluar nga shtatori tjetër, të gjithë nxënësit do të kenë ushqim falas në shkollat e Tiranës.
“Ne do të buxhetojmë sërish për çerdhe dhe kopshte të reja, siç do buxhetojmë që në datën 1 janar pensionistët, gjyshërit dhe gjyshet e këtyre fëmijëve, të udhëtojnë falas me autobus. Siç do buxhetojmë që motrat dhe vëllezërit më të mëdhenj të këtyre fëmijëve të kenë ushqimin falas në shkolla nga shtatori i vitit tjetër”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku tha se hapja e institucioneve të reja arsimore do të vazhdojë edhe në zona të tjera të Tiranës./vizionplus.tv





