Subscribe

Partia Demokratike e ka cilësuar si korruptiv projektligjin e Kooropratës së Investimeve të iniciuar nga qeveria.

 

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, ish-deputetja Jorida Tabaku deklaroi se ky ligj bën pronar de facto të çdo pasurie kryeministrin Edi Rama.

 

Sipas Tabakut projektligji shmang çdo përgjegjësi për dështimin e investimeve të Koorporatës duke realizuar tjetërsimin e pronës publike nga shteti tek privatët.

 

“Vjedhja gjigande, këtë herë, e ka emrin Korporata e Investimeve Shqiptare. Ajo është skema më e madhe grabitëse e pronave publike, e realizuar ndonjëherë me ligj në ndonjë vend me kushtetutë demokratike. Pasi ka zhytur shqiptarët në 2.2 miliard euro borxh me PPP-të për të pasuruar klientët e oborrit të tij dhe të familjes së tij, Edi Rama ka hartuar një ligj që, praktikisht, e bën atë pronar të çdo toke publike në vend, duke ia transferuar atë në pronësi apo përdorim Korporatës së Investimeve, që kontrollohet plotësisht nga Kryeministri.  Ligji për krijimin e Korporatës së Investimeve thotë se Korporata, me vendim të Këshillit të Ministrave, pra, me vendim të Edi Ramës, mund të menaxhojë, japë në përdorim apo të shesë pronat publike, që janë kaluar në fondin e saj, po me firmën e Edi Ramës. Ky ligj, plotësisht antikushtetues, antieuropan, antidemokratik, kundër interesit publik e bën kryeministrin pronar de facto të çdo pasurie publike të paluajtshme në vend. Pa i dhënë llogari askujt, Edi Rama i jep të drejtë vetes me këtë ligj, të përdorë Korporatën për të shpërndarë pronat publike tek të njëjtët oligarkë apo tek persona të paidentifikuar.”

 

Tabaku akuzoi qeverinë se nuk po punon për interesat e qytetarëve shqiptarë por për ato të një pakice.

 

“Nëse do të kishte një Gjykatë Kushtetuese, ky ligj do të ishte shpallur antikushtetues, por në ksuhtet e asgjësimit total të sistemit të drejtësisë dhe kapjes së çdo pushteti, qeveria vazhdon me ligje speciale për të grabitur çdo pasuri publike.  Nëse ky ligj miratohet në Parlamentin e dalë nga vota e blerë me paratë e krimit të organizuar dhe të oligarkëve të Edi Ramës, Partia Demokratike angazhohet ta anullojë atë në ditën e parë të qeverisë së saj.”

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *