Ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka dhënë një urim dhe apel në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, është dita e Kujtesës, Veprimit dhe Ndërgjegjësimit për Pyjet! Është dita që duhet t’i kujtojë cdo qytetari se pyjet janë pjesë e pandarë e jetës sonë. Ato janë burim oksigjeni, energjie në jetesën e përditshme, por dhe oazi i paqes e qetësisë së shpirtit. Sigurisht që nuk duhet të jenë të tillë vetëm në 21 mars të çdo viti”, shprehet ministri Koka.
“Eshtë dita kur duhet të mbjellim dhe aktualisht fidanë të rinj po i shtohen pyjeve tona, ashtu sic Ministria e Mjedisit ka bërë prej të paktën tre viteve. Ju ftoj të mbillni sot qoftë edhe një fidan apo qoftë edhe një lule në shenjë të përkushtimit njerëzor ndaj natyrës. Sikundër ju ftoj që të kujdeseni edhe për një pemë të vetme’, thekson Koka në mesazhin e tij.
“I përulem me respekt çdo kontributi në pyje që vjen nga nxënës, organizata, shoqëria civile dhe biznese në kuadër të kësaj Dite”, shton Ministri Koka i cili fton qytetarët për të ndjekur mesazhet sensibilizuese në rëndësinë e pashmangshme të pyjeve në jetën e çdo banori të Tokës.
Mesazh sensibilizues japin edhe punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura që gjenden çdo ditë pranë pyjeve duke dhënë kontributin në ruajtjen dhe shtimin e kësaj pasurie të çmuar të natyrës shqiptare.
“Gëzuar Shqipëri, 21 marsin – Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve! Qoftë kjo Dita e Kujtesës, Veprimit dhe Ndërgjegjësimit për PYJET!”, përfundon apelin e tij ministri Koka.





